Rusia pas vrasjes së Nasrallahut: Tepër i lartë rreziku për luftë në Lindje të Mesme - NACIONALE

Rusia pas vrasjes së Nasrallahut: Tepër i lartë rreziku për luftë në Lindje të Mesme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kremlini të hënën e dënoi vrasjen e udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, përmes një sulmi ajror izraelit javën e kaluar dhe tha se vlerëson që rreziku për një luftë të madhe në Lindje të Mesme është “tepër i lartë”.

“Pala ruse dënon veprime të tilla, ne besojmë se ato kanë çuar te një destabilizim domethënës i situatës në rajon” – iu tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton agjencia "Reuters".

“Gjëja kryesore është që bombardimi i tillë pa dallim i zonave të banimit në Liban çon në numër të madh të viktimave civile, që në mënyrë të pashmangshme do të sjellë një katastrofë humanitare si ajo që po e shohim në Gaza” – shtoi ai, duke e shprehur “shqetësimin më të thellë” të Moskës.

Intensifikimi i sulmit izraelit kundër Hezbollahut i ka thelluar shqetësimet ndërkombëtare për rrezikun e një lufte më të gjerë në Lindje të Mesme, ku do të përfshihej edhe Irani, që i mbështet Hezbollahun e Hamasin.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e përshkroi vrasjen e Nasrallahut në fundjavë si vrasje politike, ndërsa Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate i bëri thirrje Izraelit që menjëherë t’i ndalë veprimet armiqësore në Liban.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, të hënën dha shenjë se vendi i tij mund të ketë në plan një pushtim me trupa tokësore në Liban, ndërsa nënsekretari i Hezbollahut, Naim Qassem në po të njëjtën ditë tha se grupi i tij është i gatshëm për t’u ballafaquar me ndonjë pushtim tokësor të trupave izraelite.

Lajme të ngjashme