Rusia kryen ushtrime në Arktik, përballë Alaskës së ShBA-së
Nëndetëset ruse me energji bërthamore hodhën raketa në Arktik të premten si pjesë e ushtrimeve ushtarake të planifikuara për ta testuar gatishmërinë ushtarake për konflikt të mundshëm në ujërat e akullta veriore, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Ushtrimet, të emërtuara “Umka-2022”, u zhvilluan në Detin Çukçi, pjesë lindore e Oqeanit Arktik, që e ndan Rusinë nga shteti amerikan, Alaska, raporton agjencia “Reuters”, përcjell Nacionale.
Rusia e sheh territorin e saj të madh të Arktikut si interes jetik e strategjik dhe me vite i ka rritur kapacitetet ushtarake në rajon, duke i aktivizuar këmbandat e alarmit në vendet perëndimore.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të premten se dy nëndetëse me energji bërthamore – “Omsk” dhe “Novosibirsk” – hodhën raketa anti-anije nga Deti Çukçi, duke i goditur caqet në një largësi prej 400 kilometrash.

Kjo ministri publikoi një video në rrjete sociale në të cilën tha se shihet hedhja e raketave nga anijet e vendosura në Rrugën e Detit Verior – kanal i transportit tregtar që Rusia po e promovon si alternativë për anijet e mallrave që lundrojnë mes Evropës e Azisë.
Moska ka vazhduar një program të ushtrimeve ushtarake të profilit të lartë edhe pse një pjesë e madhe e forcave ushtarake të saj janë të angazhuara në luftën e Ukrainës. Këtë muaj, ushtria ruse kreu ushtrime në Lindjen e Largët me rreth 50.000 ushtarë.

Ministria e Mbrojtjes tha se ushtrimet e kësaj jave në Arktik ishin test për “aftësinë dhe gatishmërinë për ta mbrojtur Arktikun rus përmes mjeteve ushtarake”.
Përpos hedhjes së raketave nga nëndetëset me energji bërthamore, raketa u hodhën edhe përmes sistemit raketor bregdetar “Bastion” në caqe të imagjinuara në det në largësi prej 300 kilometrash nga Gadishulli Çukçi, që është territori më lindor i Rusisë.
Militarizimi i rajonit të Arktikut nga Rusia ka shkaktuar shqetësim në kryeqytetet perëndimore, te vendet e tjera arktike dhe në mesin e grupeve për mbrojtjen e mjedisit. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha muajin e kaluar se rritja ushtarake e Rusisë në Arktik paraqet “një sfidë strategjike” për aleancën./Nacionale
