Rusia konfirmon se ish-kancelari gjerman ndodhet në Moskë: Kontakti është i mundshëm
Kremlini tha të martën se beson që ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, ndodhet në Moskë dhe nuk e përjashtoi mundësinë për kontakt me të.
“Aq sa dimë ne, ai është në Moskë. Nuk ka takim si të tillë, por ne nuk e përjashtojmë kontaktin e mundshëm”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet nëse Kremlini është i vetëdijshëm për raportimet se Schroeder udhëtoi për në Moskë të martën.
Televizioni gjerman, RTL, raportoi të hënën në mbrëmje se Schroeder ndodhet në Moskë, duke publikuar një fotografi të tij në uebfaqen e televizionit. I pyetur nga RTL-ja nëse do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, Schroeder citohet të ketë thënë: “Jam për pushime këtu për disa ditë. Moska është qytet i bukur.”
Zyra e Schroeder-it në Gjermani nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment se pse ai ka udhëtuar për në Moskë.
Gjiganti rus i gazit, “Gazprom”, tha të hënën se do ta pakësojë furnizimin e Gjermanisë me gaz përmes gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1” në vetëm 20 për qind të kapacitetit nga e mërkura për shkak të një turbine për të cilën thuhet se duhet të ndalet. Gjermania e refuzoi këtë shpjegim.
Schroeder ka qenë figurë kyçe në lidhjet e energjisë mes Gjermanisë e Rusisë, duke shërbyer si kancelar nga viti 1998 deri më 2005 para se ta merrte postin kundërthënës në bordin mbikëqyrës të kompanisë shtetërore të naftës në Rusi, “Rosneft”.
Përkrahës i gazsjellësit “Rrjedha Veriore”, me të cilën gazi rus dërgohet në Gjermani nëpër Detin Baltik, Schroeder ishte nominuar për një post në bordin e kompanisë “Gazprom” vetëm tri javë para se Moska të dërgonte ushtri në Ukrainë më 24 shkurt për atë që e quan “operacion special ushtarak”.
Për shkak të refuzimit të ish-kancelarit për ta distancuar veten nga Putini, partitë kryesore politike të Gjermanisë në maj u pajtuan që t’ia heqnin të drejtën për të pasur një zyrë të financuar nga fondet publike.
Në të njëjtin muaj, Schroeder e refuzoi nominimin për një post në bordin e kompanisë “Gazprom” dhe dha dorëheqje nga bordi i kompanisë “Rosneft”./Nacionale