Rusia i mohon raportimet se Ukraina e ka thyer vijën e frontit
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i ka mohuar raportimet se forcat ukrainase kanë depërtuar në vende të caktuara të vijës së frontit dhe ka thënë se situata është ende nën kontroll.
Moska reagoi, pasi disa blogerë ushtarakë rusë, duke shkruar në rrjetin “Telegram”, raportuan për ato që thanë se ishin përparime të Ukrainës në veri dhe në jug të qytetit Bakhmut dhe disa prej tyre sugjeruan se kundërsulmi i Ukrainës ka filluar, raporton agjencia “Reuters”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më herët kishte thënë se vendit të tij i nevojitet ende kohë për ta nisur kundërsulmin, sepse tani do të humbte shumë njerëz.
“Deklaratat e qarkulluara nga kanalet individuale në Telegram për “depërtimet e mbrojtjes” që kanë ndodhur në zona të ndryshme përgjatë vijës së kontaktit ushtarak nuk përputhen me realitetin”- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë në rrjetin “Telegram”.
“Situata e përgjithshme në zonën e operacionit special ushtarak është nën kontroll”- thuhet më tej në deklaratë, duke e përdorur përshkrimin e Kremlinit për luftën në Ukrainë.
Fakti që ministria ruse u ndie e detyruar për ta lëshuar këtë deklaratë e pasqyron atë që Moska ka pranuar se është një operacion “shumë i vështirë”.
