Zelensky thotë se Ukrainës i duhet më shumë kohë për ta nisur kundërsulmin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vendi i tij ka nevojë për më shumë kohë për ta nisur kundërsulmin e shumëpritur kundër Rusisë, pasi ushtria ukrainase ende ka nevojë për ndihmat e premtuara perëndimore.
“Me (ato që i kemi), mund të ecim përpara dhe të jemi të suksesshëm, por do të humbnim shumë njerëz. Mendoj se kjo është e papranueshme”- tha Zelensky në Kiev në një intervistë për televizionin BBC.
“Prandaj, duhet të presim. Ende na duhet pak më shumë kohë”- shtoi presidenti ukrainas.
Zelensky tha se brigadat luftarake, disa prej të cilave janë trajnuar nga vendet e NATO-s, janë të gatshme, por se ushtria ende ka nevojë për “disa gjëra”, përfshirë automjetet e blinduara, të cilat, sipas tij, po arrijnë grupe-grupe.
Presidenti shprehu besim se ushtria ukrainase mund të përparojë, duke paralajmëruar për rrezikun e një konflikti të ngrirë, në të cilin, sipas tij, po llogarit Rusia.
Kur rreth një e pesta e territorit të Ukrainës është nën kontrollin e rusëve dhe pas shpalljes së aneksimit të katër rajoneve ukrainase nga presidenti rus, Vladimir Putin, presioni për të zhvilluar bisedime me Rusinë mund t’i përfshijë diskutimet për koncesione territoriale.
“Secili do të ketë një ide, (por) ata nuk mund t’i bëjnë presion Ukrainës për të dorëzuar territore. Pse do të duhej ndonjë vend në botë t’ia jepte Putinit territorin e vet”- shtoi presidenti ukrainas.
