Rusia i kundërpërgjigjet Izraelit, e akuzon për përkrahje të “regjimit neo-nazist” në Ukrainë - NACIONALE

Rusia i kundërpërgjigjet Izraelit, e akuzon për përkrahje të “regjimit neo-nazist” në Ukrainë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë të martën e akuzoi Izraelin për përkrahje të “neo-nazistëve” në Ukrainë, duke e thelluar përplasjen e filluar më herët, kur kryediplomati rus, Sergei Lavrov, pretendoi se nazisti famëkeq gjerman, Adolf Hitler, kishte prejardhje hebraike.

Izraeli e kritikoi ashpër të hënën ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, duke e cilësuar pretendimin e tij si të pavërtetë të pafalshme që i zvogëlon tmerret e Holokaustit nazist.

Udhëheqës të disa vendeve perëndimore i dënuan komentet e ministrit rus, ndërsa presidenti urkainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë se i ka harruar mësimet e Luftës së Dytë Botërore, raporton agjencia “Reuters”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha në një deklaratë se komentet e ministrit të Punëve të Jashtme të Izraelit, Yair Lapid, janë anti-historike dhe “sqarojnë në masë të madhe se pse qeveria izraelite e përkrah regjimin neo-nazist në Kiev”.

Moska e përsëriti qëndrimin e Lavrovit se prejardhja hebraike e Zelenskyt nuk e përjashton mundësinë që Ukraina të udhëhiqet nga neo-nazistët.

“Antisemitizmi në jetën e përditshme dhe në politikë nuk ndalet dhe, përkundrazi, ushqehet (në Ukrainë)”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.

Lavrovi e bëri pretendimin për Hitlerin në një televizion italian të dielën, kur u pyet se pse Rusia ka nevojë që ta “denazifikojë” Ukrainën, kur presidenti i sa, Volodymyr Zelensky, vetë është hebre.

Izraeli ka shfaqur përkrahje për Ukrainën pas fillimit të pushtimit rus në shkurt. Por duke pasur kujdes që të mos i dëmtojë raportet me Rusinë, Izraeli fillimisht i ka shmangur kritikat e drejtpërdrejta për Moskën dhe nuk ka vendosur sanksione zyrtare ndaj oligarkëve rusë.

Lajme të ngjashme