Rusia i del në mbrojtje Indisë pas kërcënimeve të Trumpit me taksa për blerjen e naftës ruse: Të paligjshme
Rusia i akuzoi të martën Shtetet e Bashkuara për ushtrim të presionit të paligjshëm tregtar ndaj Indisë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi përsëri me rritje të taksave kundër Nju-Delhit për shkak të blerjes së naftës ruse.
“Ne dëgjojmë shumë deklarata që janë në të vërtetë kërcënime, përpjekje për të detyruar shtete që t’i ndërpresin marrëdhëniet tregtare me Rusinë. Ne nuk konsiderojmë se këto deklarata janë të ligjshme” – tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Ne besojmë se shtetet sovrane duhet ta kenë dhe e kanë të drejtën që t’i zgjedhin partnerët e vet tregtarë, partnerët për bashkëpunim tregtar dhe ekonomik, dhe t’i zgjedhin vetë format e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik që janë në interesat e një shteti të caktuar” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi ka thënë se nga e premtja do t’u vendosë sanksione të reja Rusisë dhe shteteve që blejnë produkte të energjisë prej saj, nëse Moska nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund konfliktit me Ukrainën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka dhënë ndonjë sinjal për ndryshimin e qëndrimit të Rusisë ndaj luftës, pavarësisht se kanë mbetur edhe pak ditë deri tek afati i caktuar nga homologu amerikan.
India i ka quajtur “të pajustifikuara” kërcënimet e Trumpit dhe është zotuar se do t’i mbrojë interesat e veta ekonomike, duke thelluar një përplasje tregtare mes dy ekonomive të mëdha.
Dy burime qeveritare indiane i thanë agjencisë “Reuters” në fundjavë se India do të vazhdojë që të blejë naftë nga Rusia pavarësisht nga kërcënimet e Trumpit./Nacionale