Rusia heton raportin e mediave për praninë e forcave speciale britanike SAS në Ukrainë
Nga organi më i lartë shtetëror hetimor i Rusisë kanë deklaruar se po shqyrtojnë një raport të medias ruse që pretendonte se ekspertë të sabotimit nga forcat speciale SAS të Britanisë janë vendosur në Ukrainën perëndimore.
Shërbimi Special Ajror është një forcë ushtarake elitare e trajnuar për të kryer operacione speciale, vëzhgim dhe kundër-terrorizëm. Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti citoi të shtunën një burim të sigurisë ruse të thoshte se rreth 20 anëtarë të SAS ishin dërguar në rajonin e Lviv.
Në një deklaratë, Komiteti Hetues tha se do hetonte raportimet se ata ishin dërguar "për të ndihmuar shërbimet speciale ukrainase në organizimin e sabotimit në territorin e Ukrainës".
Një zëdhënës i Ministrisë Britanike të Mbrojtjes ka deklaruar përkitazi me rastin se: "Ne nuk komentojmë për Forcat Speciale".
Britania kishte thënë më herët se kishte dërguar trajnerë ushtarakë në Ukrainë në fillim të këtij viti për të trajnuarr forcat lokale në përdorimin e armëve antitank, mirëpo qeveria britanike tha më 17 shkurt - një javë para pushtimit rus - se kishte tërhequr të gjitha trupat, përveç atyre që nevojiteshin për të mbrojtur ambasador e saj.
Nuk është e qartë se çfarë hapash planifikon të ndërmerr Komiteti Hetimor në përgjigje të ndonjë përfshirjeje të SAS në Ukrainë. Por fakti i hetimit për praninë e mundshme të forcave nga një vend i NATO-s është domethënës, duke qenë se Rusia ka paralajmëruar Perëndimin që të mos pengojë "operacionin e saj special ushtarak" në Ukrainë.