Rusia e refuzon propozimin e Lukashenkos për armëpushim në Ukrainë
Kremlini e ka përjashtuar propozimin e presidentit bjellorus, Aleksander Lukashenko, për armëpushim në Ukrainë.
“Në kontekstin e Ukrainës, asgjë nuk ndryshon. Operacioni special ushtarak vazhdon, sepse, për momentin, është mënyra e vetme për t’I arritur qëllimet me të cilat ballafaqohet vendi ynë”- tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai tha se Moska është e vetëdijshme për këshillën e Lukashenkos dhe se ajo “sigurisht që do të diskutohet” javën e ardhshme, kur presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet me homologun bjellorus në takimin e Këshillit Suprem Shtetëror të Shtetit të Unionit, raporton televizioni CNN.
Lukashenko bëri thirrje për ngrirje të “armiqësive” në Ukrainë dhe paralajmëroi se Rusia do të detyrohej që ta përdorte forcën e plotë të ushtrisë së saj, nëse Perëndimi do të përpiqej që ta shfrytëzonte ndërprerjen e luftimeve për t’iu afruar territorit të saj.
“Është e nevojshme që të ndalen armiqësitë dhe të shpallet një armëpushim që ua ndalon të dyja palëve lëvizjen e grupeve të trupave dhe transferimin e armëve, municionit, fuqisë së njerëzve dhe pajisjeve. Të gjitha të ndalura, të ngrira”- tha Lukashenko në një fjalim të mbajtur të premten.
Presidenti bjellorus është aleat kyç i Putinit dhe komentet e tij vijnë pas tensioneve të ngritura në rajon, kur Rusia po grumbullon trupa përgjatë kufirit Bjellorusi – Ukrainë në javët e fundit.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë shprehur shqetësim për mundësinë e eskalimit të mëtejmë të konfliktit.
