Rusia e quan "deluziv" planin e BE-së për asetet e ngrira, paralajmëron përgjigje të ashpër
Rusia tha të enjten se ideja e Bashkimit Evropian që t’i përdorë asetet e ngrira ruse për t’i dhënë hua Ukrainës, e cila do të paguhej në fund duke i shfrytëzuar dëmshpërblimet e luftës nga Moska, është “deluzive” dhe do të nxiste hakmarrje shumë të ashpër.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se vendi i saj dëshiron që t’u sjellë ndër mend qeverive të Bashkimit Evropian, sidomos Belgjikës, ku ndodhen shumica e aseteve të ngrira ruse – që t’i respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Në pajtim me parimin e reciprocitetit, çfarëdo sulmi i BE-së ndaj pronës sonë do të pritet me një kundërpërgjigje shumë të ashpër. Edhe ata e dinë këtë” – tha Zakharova.
“Rusia ka arsenal të mjaftueshëm të kundërmasave dhe kapaciteteve për një kundërpërgjigje të duhur politike dhe ekonomike” – shtoi ajo.
BE-ja është duke punuar për të gjetur mënyra financimi për mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës duke i përdorur asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, ndonëse pa i konfiskuar ato.
Në plan do të përfshihej lëshimi i një huaje për Ukrainën, e cila do të paguhej kur Ukraina të merrte dëmshpërblime lufte nga Rusia në një marrëveshje të paqes.
Zakharova u tall me tërë skemën.
“Nuk dua as ta diskutoj vetë konceptin, është shumë deluziv, por fjala “dëmshpërblime” ma mori vëmendjen... Për çfarë lloji të pagesave të dëmshpërblimeve po flet Ursula von der Leyen? – tha ajo.
Zakharova tha se Rusia është duke e fituar luftën kundër Ukrainës dhe dëmshpërblimet paguhen nga humbësit./Nacionale