Rusia e mirëpret qasjen e re të ShBA-së pas kritikave të Trumpit për Zelenskyn - NACIONALE

Rusia e mirëpret qasjen e re të ShBA-së pas kritikave të Trumpit për Zelenskyn

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kremini e çmoi të hënën administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se ajo po mundohet t’i kuptojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit në Ukrainë dhe për t’i dhënë fund atij, në atë që tha se shënon një kontrast me qasjen e Evropës.

Këto komente janë njëra nga njohjet më të qarta deri të tani të ndryshimit të thellë në politikën e ShBA-së rreth luftës në Ukrainë që nga ardhja e Trumpit në pushtet para pesë javëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke kthyer mbrapsht tre vjet të përpjekjeve të ShBA-së për ta ndëshkuar dhe për ta izoluar Moskën nën administratën e ish-presidentit Joe Biden, Trumpi ka bërë lëvizje të shpejta për t’i riparuar marrëdhëniet me homologun rus, Vladimir Putin, dhe ka përqafuar disa pjesë të narracionit të Kremlinit rreth konfliktit.

Javën e kaluar, Trumpi e quajti “diktator” presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe la të kuptohej se Kievi është fajtor për fillimin e luftës, e cila nisi saktësisht para tre vjetëve, kur Putini njoftoi një “operacion special ushtarak” dhe e dërgoi ushtrinë e tij në Ukrainë.

Kur u pyet për komentet e Trumpit rreth fajësimit të Zelenskyt dhe Bidenit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se vetë administrata e Trumpit kishte thënë se do t’i japë kornizë të re qasjes ndaj Rusisë.

“Kjo është ajo që ne e mirëpresim dhe e përkrahim. Kjo është gjëja e parë. Së dyti, ne shpresojmë që Uashingtoni do t’i analizojë në mënyrë të plotë shkaktarët rrënjësorë të konfliktit ukrainas – për këtë ne në të vërtetë jemi munduar që t’i bëjmë kundërshtarët tanë evropianë t’i kushtojnë vëmendje dhe ata gjithmonë kanë refuzuar ta bëjnë këtë, njësoj si administrata e kaluar në Uashington” – tha Peskovi.

Rusia për një kohë të gjatë ka argumentuar se ishte e detyruar ta fillonte luftën për t’i mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainë dhe për ta mbrojtur veten duke u siguruar që Ukraina të mos mund të anëtarësohet në NATO. Në anën tjetër, Ukraina dhe Perëndimi thonë se këto ishin pretekste për të grabitur territor në stilin kolonialist./Nacionale

Lajme të ngjashme