Rusia e kryen sulmin e nëntë raketor ndaj Kievit këtë muaj
Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, është sulmuar me raketa nga Rusia për herë të nëntë këtë muaj.
Një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketa në Odesa, qytet bregdetar në jugperëndim të Ukrainës, sipas zyrtarëve.
Shpërthime u dëgjuan edhe në rajonet qendrore: Vinnytsia, Khmelnytsky dhe Zhytomyr, raporton televizioni BBC.
Administrata ushtarake e Kievit tha se të dhënat preliminare tregojnë që të gjitha raketat që po vinin drejt kryeqytetit janë shkatërruar.
Kjo është hera e nëntë këtë muaj që Rusia kryes sulme ajrore në Kiev. Të martën, Ukraina tha se kishte rrëzuar gjashtë raketa hipersonike “Kinzhal” si pjesë e një sulmi “jashtëzakonisht të dendur” nga Rusia.
Udhëheqësi i administratës ushtarake të Kievit tha se një sulm i rëndë me raketa ishte nisur nga bombarduesit strategjikë rusë që ndodheshin mbi Detin Kaspik.
Serhiy Popko tha se në këtë sulm ndoshta ishin përfshirë raketat me vetëdrejtim, duke shtuar se Rusia kishte përdorur dronë vëzhgues mbi Kiev pas kryerjes së sulmit.
Të mërkurën u raportua për të paktën tetë të vrarë, përfshirë një djalë 5 vjeç afër Khersonit, si dhe 17 të lënduar nga bombardimet, përderisa të dyja palët shkëmbyen akuza për sulmimin e zonave civile.
Kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, u takua të mërkurën në Kiev me një diplomat kinez dhe refuzoi çfarë plani të paqes që do ta përfshinte dorëzimin e territorit ukrainas në duart e rusëve.
Megjithatë, marrëveshjes për eksportimin e drithit përmes Detit të Ziu iu vazhdua afati edhe për dy muaj. Kjo u arrit vetëm një ditë para se paktit t’i përfundonte vlefshmëria e miratuar më parë.

