Rusia kryen sulm të rëndë me raketa e dronë në Kiev, lëndohen tre persona - NACIONALE

Rusia kryen sulm të rëndë me raketa e dronë në Kiev, lëndohen tre persona

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeqyteti ukrainas, Kiev, është goditur nga një sulm i ashpër ajror nga forcat ruse, për herë të tetë këtë muaj, duke lënduar tre persona.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, sistemet e mbrojtjes ajrore mund të shihen duke rrëzuar raketa mbi qytet, raporton televizioni BBC.

Përmes mesazheve qeveritare, njerëzit u paralajmëruan që të qëndrojnë larg dritareve, përderisa mbetjet e raketave të rrëzuara binin nga qielli.

Kryetari i qytetit, Vitali Klitschko, tha se disa mbetje të raketave kanë rënë në distriktet qëndrore të Kievit, përfshirë kopshtin zoologjik.

Sirenat e alarmit për sulme ajrore u aktivizuan rreth orës 2 e 30 minuta të mëngjesit dhe u ndalën vetëm dy orë më vonë.

Sulmi kompleks, në të cilin u përfshinë raketat dhe dronët, nga një zyrtar i Kievit u përshkrua si “i jashtëzakonshëm për nga dendësia e tij”.

Serhiy Popko, drejtor i administratës ushtarake në Kiev, e përshkroi sulmin si “numër maksimal i raketave sulmuese në periudhën më të shkurtër kohore”.

“Sipas të dhënave preliminare, shumica e caqeve të armikut në hapësirën ajrore të Kievit janë zbuluar dhe janë shkatërruar”- shtoi ai.

Në ditët e fundit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vizituar disa vende evropiane, ku i është premtuar ndihmë ushtarake me vlerë të miliarda eurove nga aleatët perëndimorë.

Lajme të ngjashme