Rusia e kryen sulmin ajror më vdekjeprurës në disa muaj, 18 të vrarë në Ukrainë
Rusia hodhi më shumë se 700 dronë e raketa drejt Ukrainës në disa valë gjatë natës së kaluar, duke vrarë të paktën 18 njerëz në atë që zyrtarët lokalë e cilësuan si sulmin më vdekjeprurës në disa muaj.
Zyrtarët thanë se nëntë njerëz u vranë në qytetin jugor Odesa, pesë në qytetin qendror Dnipro dhe katër – përfshirë një fëmijë – në kryeqytetin Kiev, raporton televizioni BBC.
Në Rusi, dy njerëz, përfshirë një fëmijë, u vranë nga një sulm ukrainas me dron në rajonin jugor të Krasnodarit, tha Moska.
Vala e re e dhunës vjen pas një armëpushimi të shkurtër fundjavën e kaluar për nder të Pashkëve Ortodokse, edhe pse palët e akuzuan njëra-tjetrën për qindra shkelje të armëpushimit.
Në Kiev, sirenat e alarmit për sulme ajrore i zgjuan njerëzit në orën 2 e 30 minuta të mëngjesit dhe shpejt pasuan shpërthimet e para.
Në fotografi të publikuara në internet nga dëshmitarët shihen flaka e tymi në zonat qendrore të qytetit. Në një video, një dron u incizua duke u përplasur drejtpërdrejt në pjesën anësore të një blloku banesor.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha në rrjetin “Telegram” se një djalë 12-vjeçar ishte në mesin e katër të vrarëve. 45 persona të tjerë u lënduan.
Forca ajrore e Ukrainës tha të enjten se Rusia kishte hedhur 659 dronë e 44 raketa balistike dhe me drejtim në 24 orët paraprake.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin, duke thënë në rrjetin X se ky rast dëshmon se sanksionet amerikane dhe evropiane kundër Rusisë nuk duhet të dobësohen./Nacionale