Rusia e hapur ndaj “propozimeve serioze” për diplomaci nga Ukraina e Perëndimi - NACIONALE

Rusia e hapur ndaj “propozimeve serioze” për diplomaci nga Ukraina e Perëndimi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nga ministria e Jashtme ruse kanë thënë se Rusia do të konsideronte "propozime vërtet serioze" nga vendet perëndimore dhe Ukraina në lidhje me një fund të mundshëm të luftës.

“Ne kemi deklaruar vazhdimisht se jemi të hapur ndaj propozimeve vërtet serioze nga Perëndimi dhe Ukraina për një zgjidhje politike dhe diplomatike të krizës, por gjuha e ultimatumeve është e papranueshme për ne,”- ka shkruar Maria Zakharova në një postim në Telegram, raporton CNN.

Ndër të tjera, Zakharova ka dënuar zyrtarët ukrainas, përfshirë ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, duke thënë se nuk ishin të gatshëm të ulen në tryezën e bisedimeve.

Komentet e saj vijnë pas një postimi të bërë nga Kuleba në të cilin ai tha se ka diskutuar formulën e paqes prej 10 pikash të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me zyrtarët kinezë.

Zakharova e ka cilësuar planin e paqes të Zelenskyt si "asgjë më shumë se një grup ultimatumesh dhe kërkesash nga Rusia që janë të shkëputura nga realiteti", si dhe ka pretenduar se qëllimi i propozimit të Zelenskyt është "arritja e kapitullimit të Rusisë me ndihmën e Perëndimit".

Sipas Zakharova-s, një pjesë integrale e një plani paqeje të qëndrueshme duhet të përfshijë heqjen e sanksioneve dhe njohjen ndërkombëtare të territoreve të aneksuara në Ukrainë.

Ndërkohë zyrtarët ukrainas kanë thënë se do të vazhdojnë të shqyrtojnë mundësinë e negociatave të paqes, por me Zelenskyn që ka përsëritur se nuk do të heq dorë nga ndonjë tokë ukrainase, apo nga përpjekjet për bashkim me NATO-n dhe BE-në.

Lajme të ngjashme