Rusia e fajëson ShBA-në për vdekje të civilëve në Belgorod nga raketat HIMARS
Rusia pretendoi të premten se Ukraina kishte përdorur raketa të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara për të vrarë gra e fëmijë në një rajon në jugperëndim të Federatës Ruse dhe tha se për këtë e ka fajin Uashingtoni.
Zëdhënësja e Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, tha se vdekja e civilëve kishte ndodhur javën e kaluar në rajonin Belgorod, pasi Shtetet e Bashkuara u pajtuan për ta lejuar Ukrainën që të shkrepë armë të ofruara nga ShBA-ja në territorin rus për mbrojtjen e rajonit ukrainas, Kharkiv, raporton agjencia “Reuters”.
Zakharova tha se deklaratat nga Uashingtoni për t’ua dhënë dritën e gjelbër sulmeve të tilla përbëjnë “një rrëfim... për vrasjen e grave dhe fëmijëve në rajonin Belgorod”.
“Fragmente të [sistemit raketor] HIMARS do të shërbejnë si dëshmi e drejtpërdrejtë” – deklaroi ajo para gazetarëve.
Agjencia “Reuters” nuk mund ta vërtetonte këtë pohim në mënyrë të pavarur dhe nuk pati komente të menjëhershme nga Ukraina ose Shtetet e Bashkuara.
Zakharova nuk paraqiti pamje të ndonjë fragmenti të raketave. Ajo as nuk përmendi ndonjë shifër të të vrarëve në incidentin e pretenduar.