Rusia e bllokon traktatin e OKB-së kundër armëve bërthamore, përmend një arsye - NACIONALE

Rusia e bllokon traktatin e OKB-së kundër armëve bërthamore, përmend një arsye

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia e ka bllokuar në Kombet e Bashkuara traktatin kundër shtimit të armëve bërthamore. Moska u ankua për përmendjen e kontrollit në centralin bërthamor ukrainas në Zaporizhia.

Dështimi për t’u marrë vesh për një deklaratë të përbashkët pas debatit dhe bisedimeve katërjavore në mesin e 151 shteteve në Kombet e Bashkuara është goditja më e re ndaj shpresës për ta mbajtur regjimin e kontrollimit të armëve bërthamore dhe ndalimit të një gare të rindezur për armë.

Seanca përmbyllëse u shty për më shumë se katër orë për shkak të refuzimit të Rusisë për t’u pajtuar me një deklaratë të gjatë që do ta përkrahte traktatin kundër shtimit të armëve bërthamore dhe në të cilën përmendej centrali bërthamor në Zaporizhia, që është pushtuar nga forcat ruse afër vijës së frontit.

Të enjten pati shqetësim dhe alarm, pasi centrali mbeti përkohësisht pa rrymë, por furnizimi u kthye më vonë. Raportohet se forcat ruse po planifikojnë që ta shkëputin centralin nga rrjeti i furnizimit me rrymë, duke shkaktuar shqetësim për fatkeqësi të mundshme rrezatimi, shkruan “The Guardian”.

Në paragrafin e draftit përfundimtar të deklaratës së OKB-së të premten u theksua “rëndësia e lartë e sigurimit të kontrollit nga autoritetet kompetente të Ukrainës ndaj objekteve bërthamore... si centrali bërthamor në Zaporizhia”.

Delegacioni rus qe i vetmi që foli kundër tekstit për të cilin u pajtuan vendet e tjera, por fajin për mosmarrëveshje në konferencë ua la Ukrainës dhe “mbrojtësve” të saj, duke i quajtur bisedimet “lojë e njëanshme”. Pas dhënies së deklaratës, delegacioni rus doli nga salla e OKB-së.

Traktati Kundër Shtimit Bërthamor është marrëveshje e arritur me 1968. Me këtë marrëveshje, shtetet që kanë armë bërthamore, ishin zotuar që t’i shkatërronin ato, ndërsa shtetet pa armë bërthamore kishin premtuar se nuk do t’i sigurojnë këto armë. Në atë kohë ekzistonin pesë fuqi të njohura bërthamore, ndonëse Izraeli kishte zhvilluar një armë të veten në mënyrë sekrete. Para se të fuqizohej ky traktat, kishte pasur parashikime se dhjetëra shtete të tjera do ta kishin arsenalin e tyre bërthamor.

Kjo ishte konferenca e dytë e rishikimit në të cilën dështoi lëshimi i një deklarate të përbashkët për t’u rizotuar ndaj qëllimeve të traktatit. Kanë kaluar 12 vjet që nga koha kur kishte madje marrëveshje të pjesshme.

Sidoqoftë, Sarah Bidgood, drejtore e programit kundër shtimit të armëve bërthamore në Euroazi në Qendrën për Studime Kundër Shtimit Bërthamor “James Martin”, tha se traktati nuk është thyer në mënyrë të pariparueshme dhe se secili shtet tjetër do ta kishte pranuar tekstin e deklaratës./Nacionale

Lajme të ngjashme