Rusia dërgon përforcime në Kharkiv për të zmbrapsur kundërsulmin e Ukrainës - NACIONALE

Rusia dërgon përforcime në Kharkiv për të zmbrapsur kundërsulmin e Ukrainës

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sipas raportimeve të mediave ruse, Moska ka nisur të dërgojë kolona me përforcime ushtarake në rajonin e Kharkiv të Ukrainës, pasi kundërsulmi i parë i madh ukrainas që nga pranvera kë bërë përparime të mëdha territoriale këtë javë.

Sipas The Guardian, trupat ukrainase i kanë larguar forcat ruse nga një numër vendbanimesh në rajonin që Moska pushtoi që në ditët e para të pushtimit të saj.

Një zyrtar i instaluar nga Rusia në pjesën e pushtuar të rajonit të Kharkiv pranoi se trupat e Ukrainës kanë bërë përparime të shpejta.

“Vetë fakti i një shkeljeje të mbrojtjes sonë është tashmë një fitore thelbësore për forcat e armatosura ukrainase”, është shprehur Vitaly Ganchev për televizionin shtetëror, duke shtuar se përparimi i Ukrainës ishte “shumë i mprehtë dhe i shpejtë”.

Më tej, Ganchev ka thënë se pranë qytetit Balakliia, ishin duke u zhvilluar "betejat e ashpra”.

“Ne nuk e kontrollojmë Balaklian. Po bëhen përpjekje për të dislokuar forcat ukrainase, por ka beteja të ashpra dhe trupat tona po frenohen.”

Për javë të tëra, zyrtarët ukrainas ishin përgatitur për një kundërsulm në rajonin jugor të Khersonit, por fokusi kryesor i kundërsulmit të kësaj jave ka qenë Kharkiv, duke i zënë në befasi të gjithë, përfshirë me sa duket edhe rusët.

Sipas zyrtarëve lokalë, kësaj kundërofensive, Moska i është përgjigjur të premten duke gjuajtur raketa në qendër të qytetit, që lanë të plagosur të paktën 10 persona.

Ky sulm është dënuar nga shefi i kabinetit të Presidentit Volodymyr Zelenskiy, si hakmarrje për suksesin ukrainas në fushën e betejës.

“Për çdo sukses të forcave të armatosura të Ukrainës, për çdo fitore, rusët ... përgjigjen me goditje ndaj njerëzve të pafajshëm”, ka shkruar Andriy Yermak në Telegram, duke konfirmuar se mes të plagosurve kishte edhe fëmijë.

Duket se në vazhdim, objektivi tjetër i madh ukrainas ka të ngjarë të jetë qyteti i Kupiansk. Të enjten, duke përmendur sulmet e artilerisë ukrainase në qytet, autoritetet ruse të okupimit thanë se kishin në plan të evakuonin gratë dhe fëmijët nga ky vend.

Ndërkohë, Instituti për Studimin e Luftës me bazë në SHBA, tha se forcat ukrainase mund të rimarrin qytetin gjatë tre ditëve të ardhshme. Marrja e qytetit do të ndërpresë lidhjet e komunikimit midis zonave të pushtuara dhe do të “pengojë përpjekjet ruse për të mbështetur operacionet sulmuese dhe mbrojtëse”.

Kujtojmë se, të enjtenn në fjalimin e tij të përnatshëm, Zelensky tha se forcat ukrainase kishin rimarrë më shumë se 1000 km katrorë territor nga rusët që nga fillimi i shtatorit.

“Heronjtë tanë kanë çliruar tashmë dhjetëra vendbanime. Dhe sot kjo lëvizje vazhdoi, ka rezultate të reja”, është shprehur presidenti.

Lajme të ngjashme