Rusia akuzon ShBA-në dhe Perëndimin për zgjatjen e "operacionit ushtarak"
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore “po bëjnë gjithçka për ta zgjatur operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë”.
Shoigu tha se rritja e vëllimit të furnizimeve me armë të huaja për Ukrainën “qartazi i demonstron qëllimet e tyre për ta provokuar regjimin e Kevit deri në ukrainasin e fundit”.
Ai shtoi se forcat ruse janë duke kryer me metodikë një plan për t’i “çliruar republikat popullore të Donetskut dhe Luhanskut, duke iu referuar rajoneve lindore të Ukrainës.
Shoigu u shfaq në televizionin shtetëror rus, “Rossiya 24”, i cili raportoi se ministri ishte duke folur në një kolegjium me zyrtarët më të lartë ushtarakë rusë në Moskë.
Nuk ishte e qartë nëse takimi po transmetohej drejtpërdrejt ose ishte i incizuar më herët. Nëse vërtetohet, kjo do të ishte paraqitja e parë publike e ministrit Shoigu qe disa ditë, në kohën kur është raportuar se ai mund të ketë probleme shëndetësore.