Rusia akuzohet për përdorim të bombave kundër bunkerëve
Forcat ruse janë akuzuar për përdorim të bombave shkatërruese kundër bunkerëve për t’i vënë në shënjestër trupat ukrainase që kanë mbetur në Mariupol, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
Komandanti i Regjimentit të Azovit në Gardën Kombëtare, i vendosur në Mariupol, Denys Prokopenko, pretendoi se aeroplanët rusë kanë filluar që të vendosin bomba kundër bunkerëve për t’i vrarë luftëtarët dhe civilët e fundit që kanë mbetur të strehuar në fabrikën e çelikut, “Azovstal”.
Kjo fabrikë ka një rrjet tunelesh ku po strehohen luftëtarët dhe civilët. Besohet se fabrika është zona e fundit e rëndësishme e rezistencën në qytetin e rrethuar.
Bombat kundër bunkerëve janë të prodhuara për të depërtuar në sipërfaqe të trasha e të forta dhe për t’i vrarë ata që ndodhen nën tokë.
Rusia e ka rrethuar Mariupolin dhe ka zhvilluar betejë të ashpër për ta marrë nën kontroll këtë qytet. Nëse trupat ruse triumfojnë, do të krijohej mundësi për ushtrinë ruse që të vendosej në vende të tjera në Donbas, Ukraina do të mbetej pa një port jetik dhe rusët do të krijonin një urë tokësore mes Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të aneksuar më 2014.
Këshilli i qytetit ka thënë se të paktën 1.000 civilë janë ende duke u fshehur nën tokë, nën fabrikën “Azovstal”.
Kryetari Serhiy Voluna, komandant i Brigadës së 36-të Detare të Ukrainës, që ende po lufton në Mariupol, bëri apel për ndihmë në një letër dërguar Papa Françeskut.