‘Rusët po përballen me masakër në Bahkmut’, zhvillimet e fundit nga Ukraina
Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët të ShBA-së Gjeneral Mark Milley, ka thënë para deputetëve amerikanë se aktualisht janë rreth 6,000 mercenarë të grupit Wagner duke luftuar në qytetin lindor të Ukrainës, Bakhmut.
“Grupi mercenar po pëson një sasi të madhe viktimash në zonën e Bakhmutit; ukrainasit po u shkaktojnë shumë vdekje dhe shkatërrim këtyre djemve," - ka thënë ai ndërsa e ka përshkruar betejën në Bakhmut si “masakër” për rusët.
Megjithatë, të kundërtën e gjeneralit amerikan e tha gjatë ditës kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili u shpreh se ata "tashmë ka shkatërruar praktikisht ushtrinë ukrainase", por pranoi se edhe Wagner është “goxha i goditur”.
Zhvillime të tjera:
Kremlini ka thënë se "lufta hibride" është afatgjatë: Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Kremlini e sheh konfliktin në Ukrainë si pjesë të një lufte afatgjatë.
“Nëse e keni fjalën për luftë në një kontekst të gjerë – një konfrontim me shtetet armiqësore dhe me vendet jomiqësore, një luftë hibride që ata shpalosën kundër Rusisë – kjo është për një kohë të gjatë,”- është shprehur ai.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes ka lënë të kuptohet se ofensiva ukrainase mund të nisë në prill ose maj: Në një intervistë për televizionin estonez, Reznikov tha se tanket gjermane Leopard, të cilat kanë filluar të mbërrijnë në Ukrainë, do të jenë pjesë e “fushatës kundërofensive me vendim të Shtabit të Përgjithshëm.”
Zyrtari rus në Melitopol tha se është goditur infrastruktura hekurudhore: Vladimir Rogov, një anëtar i administratës ushtarako-civile të emëruar nga Rusia në Zaporizhzhian e pushtuar në Ukrainën juglindore, tha të mërkurën se gjashtë raketa ukrainase HIMARS kanë goditur infrastrukturën hekurudhore në një sulm para agimit.
Hungaria tha se para se të mbështesë Suedinë për NATO, duhet të adresohen ankesat: Zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltán Kovács ka thënë të mërkurën se ka "një sasi të madhe ankesash që duhet të adresohen" përpara se aplikimi i Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n të ratifikohet nga vendi.
IAEA tha se situata në centralin bërthamor të Zaporizhzhia nuk është përmirësuar: Impianti është pushtuar nga forcat ruse që nga marsi i vitit 2022 – dhe tani drejtohet nga agjencia atomike ruse, ROSATOM. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Grossi tha se aktiviteti ushtarak dhe numri i trupave në zonë po rriteshin, pa specifikuar nëse ai nënkuptonte forcat ruse apo ato ukrainase. Kujtojmë se trupat ukrainase janë të vendosura disa milje përtej uzinës.
Gjermania tha se do të rrisë mbështetjen ushtarake për Ukrainën me 13 miliardë dollarë: Qeveria federale gjermane ka rënë dakord të ndajë një shtesë prej 12 miliardë eurosh mbështetje ushtarake për Ukrainën gjatë nëntë deri në 10 vitet e ardhshme.
