Rusët kanë arritur gati në qendër të Vuhledarit, thotë guvernatori ukrainas - NACIONALE

Rusët kanë arritur gati në qendër të Vuhledarit, thotë guvernatori ukrainas

1 javë më parë

nga NACIONALE

Trupat ruse kanë arritur në qendër të qytezës Vuhledar, bastion strategjik në terren të lartë në lindje të Ukrainës që u ka rezistuar sulmeve ruse që nga fillimi i luftës, tha të martën guvernatori i rajonit Donetsk.

Vadym Filashkin, guvernatori i këtij rajoni, tha se situata në Vuhledar është tepër e vështirë, raporton agjencia “Reuters”.

“Armiku tashmë është gati në qendër të qytetit” – i tha Filashkini Televizionit të Ukrainës.

Forcat ruse arritën në periferi të qytezës së vogël të mihjeve javën e kaluar dhe e ashpërsuan përpjekjen e tyre për të lëvizur përpara ditëve të fundit.

Trupat ruse në lindje të Ukrainës avancuan me ritmin më të shpejtë në dy vjet në gusht, sipas disa hartave me burime të hapura. Avancimi i tyre i vazhdueshëm në lindje të Ukrainës vjen pavarësisht nga sulmi i befasishëm i Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë.

Oleksandr Musienko, analist ushtarak ukrainas, tha se avancimi rus në Vuhledar erdhi me kosto të lartë në viktima për Moskën, por ky zhvillim do ta ndërlikojë pozicionin e Ukrainës në lindje.

“Mbrojtja e tij [Vuhledarit] ishte kyçe për pengimin e avancimit më të shpejtë e më të pjerrët të armikut në rajonin e Donetskut. Nëse nuk do të ishte Vuhledari, nëse nuk do të ishin njësitet tona atje, mendoj se do të ishte shumë më vështirë tani, për shembull, në drejtimin e Kurakhivit” – tha Musienko.

Analistët ushtarakë ukrainas thanë se kontrolli i plotë i Vuhledarit do t’i ndihmonte trupat ruse në përparimin e tyre të mëtejmë në rajon, pasi do t’i kontrollonin zonat e larta, që janë kyçe për zjarrin e artilerisë.

Forcat ruse tashmë në mënyrë të pamëshirshme po bombardojnë qyteze e fshatra në mbarë rajonin, tha Filashkini. “Është shumë rrezik që të qëndrohet në rajon dhe unë e theksoj edhe një herë nevojën që njerëzit të largohen” – shtoi ai.

Sipas Filashkinit, rreth 350 mijë njerëz ende mbeten në pjesët e kontrolluara nga Ukraina në rajon. Para fillimit të luftës, në zonat e kontrolluara nga forcat qeveritare jetonin rreth 1,9 milion njerëz.

Më tej, zyrtari ukrainas tha se vetëm 107 civilë kanë mbetur në Vuhledar, që para luftës kishte rreth 14 mijë banorë./Nacionale

Lajme të ngjashme