Rumania ia ndalon pjesëmarrjen në zgjedhje presidenciale djathtistit ekstrem pro-rus, Calin Georgescu
Populistit rumun të së djathtës ekstreme, Calin Georgescu, i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale të majit nga Byroja Qendrore Zgjedhore, duke nxitur përleshje mes përkrahësve të tij e policisë.
Vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e kishte anuluar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në të cilin Georgescu kishte dalë i pari, pasi shërbimet e inteligjencës kishin zbuluar se Rusia ishte përfshirë në 800 llogari në rrjetin “TikTok” për ta përkrahur atë, raporton televizioni BBC.
Byroja Qendrore Zgjedhore e refuzoi kandidaturën e tij të dielën, duke thënë se ajo “nuk i plotëson kushtet e ligjshmërisë”, pasi Georgescu “e shkeli detyrimin për ta mbrojtur demokracinë”.
Georgescu e quajti vendimin “goditje të drejtpërdrejtë” ndaj demokracisë. Ai tani ka 24 orë kohë nga momenti i vendimit për të dorëzuar apel zyrtar në gjykatën më të lartë, e cila duhet të marrë vendim brenda 72 orëve.
Gaz lotsjellës u hodh në drejtim të përkrahësve të tij, pasi dhuna shpërtheu mes tyre e policisë, kur ata u mblodhën në mijëra para zyrave të Byrosë Qendrore Zgjedhore në kryeqytetin Bukuresht.
BBC-ja pa të paktën një veturë të rrokullisur dhe dritare të thyera të kafeneve. Të paktën katër persona u arrestuan, përcjell gazeta "Nacionale".
Përderisa shumë protestues u larguan nga vendi i përleshjeve, disa qindra njerëz qëndruan dhe vazhduan të ballafaqoheshin me policët, të cilët sollën përforcime dhe u përpoqën ta rrethonin zonën.
Më 26 shkurt, Georgescu ishte arrestuar rrugës për t’u regjistruar si kandidat në zgjedhje, duke nxitur dhjetëra mijëra rumunë që të marshonin rrugëve të Bukureshtit në shenjë proteste.
Ai është akuzuar për përpjekje për rrëzimin e rendit kushtetues dhe për anëtarësi në një organizatë neofashiste, por Georgescu ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.
Para anulimit të zgjedhjeve vitin e kaluar, politikani pro-rus i kishte thënë BBC-së se do t’i jepte fund tërë mbështetjes ushtarake për Ukrainën, nëse do të zgjidhej president.
Georgescu ka marrë ca përkrahje edhe nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump. Muajin e kaluar, nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, e akuzoi Rumaninë për anulimin e zgjedhjeve duke u mbështetur në “dyshime të dobëta” të inteligjencës rumune dhe nga trysnia prej vendeve fqinje.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Rumanisë, Emil Hurezeanu, e ka akuzuar miliarderin amerikan dhe aleatin e Trumpit, Elon Musk, për “një formë të ndërhyrjes” në zgjedhjet e Rumanisë, pasi Musku kishte publikuar disa mesazhe në mbështetje të Georgescu-t./Nacionale