Rumania e Koreja Jugore zotohen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes - NACIONALE

Rumania e Koreja Jugore zotohen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e Koresë Jugore dhe Rumanisë u zotuan të martën për fuqizimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, përderisa Seuli po bën përpjekje që ta betonojë veten si eksportuesi i katërt më i madh në botë i armëve dhe kur po raportohet se janë duke u përgatitur kontrata të mëdha shtesë.

Presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, e priti në një samit homologun e tij rumun, Klaus Iohannis, dhe u zotua për shtimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, përfshirë prodhimin e përbashkët të armëve, thuhet në një deklaratë, raporton agjencia “Reuters”.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë Jugore, Shin Won-sik, e priti zëvendësministrin e Mbrojtjes të Polonisë, Pawel Bejda, në kohën e raportimeve për një kontratë që pritet të lidhet së shpejti që kompania “Hanwha Aerospace” të ofrojë sisteme armësh shtesë dhe në kohën e raportimeve për zhvillimin e bisedimeve rreth financimit.

Koreja Jugore ka dalë në pah si lojtare e rëndësishme në eksportin global të mbrojtjes, pasi pushtimi rus i Ukrainës ua ka hapur dyert kompanive të saj që të nënshkruajnë kontrata të mëdha me vende të Evropës, Lindjes së Mesme e Azisë.

Prodhuesi i pajisjeve të mbrojtjes i Koresë Jugore, “Hanwha Aerospace”, është duke punuar për një marrëveshje me vlerë prej më shumë se 725 milionë dollarësh për ta furnizuar Rumaninë me obusë të tipit K9. Kjo do të ishte kontrata e parë me shtetin e Evropës Lindore, raportoi këtë vit gazeta “Korea Economic Daily”.

Vitin e kaluar, kompania nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë shtetërore rumune të mbrojtjes për eksportimin e obusëve K9 dhe automjeteve luftarake të këmbësorisë.

Polonia, që i ka shtuar shpenzimet e mbrojtjes, është pajtuar që të blejë armë në vlerë të 22 miliardë dollarëve nga Koreja Jugore. Kjo është blera më e madhe e armëve e Polonisë.

Të martën, sipas raportimit të gazetës koreane “Dong-a”, e cila citoi burime të industrisë së mbrojtjes, Polonia këtë javë do të nënshkruajë një kontratë për 70 njësi të sistemit raketor “Chunmoo” me vlerë të 1,6 miliard dollarëve.

Lajme të ngjashme