Rumania e Bullgaria pajtohen me Austrinë për hyrje të pjesshme në zonën e Shengenit - NACIONALE

Rumania e Bullgaria pajtohen me Austrinë për hyrje të pjesshme në zonën e Shengenit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rumania dhe Bullgaria kanë arritur një marrëveshje me Austrinë për t’iu bashkuar zonës Shengen përmes ajrit dhe detit nga marsi i vitit 2024, ndërsa bisedimet për kufijtë tokësorë pritet të vazhdojnë vitin e ardhshëm, ka thënë Ministria e Brendshme e Rumanisë.

Austria e kishte kundërshtuar zgjerimin e zonës Shengen për lëvizje të lirë në Rumani e Bullgari në një takim të ministrave të brendshëm të vendeve të BE-së vitin e kaluar, duke thënë se migrimi ilegal ishte ende shumë i lartë dhe se këto dy shtete duhej të bënin më shumë për ta parandaluar atë para se të bëheshin pjesë e zonës, raporton agjencia “Reuters”.

Pasi këto vende u pajtuan për t’i ashpërsuar masat e sigurisë kufitare dhe e morën përkrahjen nga vende të tjera të BE-së, Austria u zbut pjesërisht, duke propozuar hyrje me faza, zgjidhje së cilës ministri austriak i Punëve të Brendshme, Gerhard Karner, iu referua si “Shengeni ajror”.

Rumania dhe Bullgaria shtrihen në rrugë të rëndësishme për tregti ilegale të armëve e trafikim të drogës e njerëzve, por Komisioni Evropian ka thënë se një hetim i plotë ka treguar se këto shtete i plotësojnë të gjitha kushtet për Shengen.

Rumania ka thënë se kundërshtimi i Austrisë ishte i pajustifikuar, duke i cituar të dhënat e agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, që tregojnë se emigrantët e paligjshëm po hynin në BE kryesisht nga Ballkani Perëndimor, jo nga Rumania.

Partia Popullore e Austrisë, e cila është në pushtet, me vite e ka bërë çështje kyçe të fushatës luftimin e migrimit ilegal. Partia e Lirisë, e cila i përket së djathtës ekstreme dhe ka linjë të ngjashme për emigrantët, po prin në anketa para zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, e mirëpriti marrëveshjen për hyrjen e pjesshme të vendit të tij në zonën e Shengenit.

“Nga marsi, rumunët do të përfitojnë nga përparësitë e Shengenit në rrugë ajrore e detare. Jam i bindur se më 2024 ne do t’i përfundojmë bisedimet edhe për kufij tokësorë”- tha ai.

Ministria e Financave ka vlerësuar se hyrja në zonën Shengen do ta rriste për 0,5 për qind rritjen ekonomike vjetore të Rumanisë.

Lajme të ngjashme