Rruga drejt paqes në Ukrainë mbetet e paqartë, thotë Trump
Rruga përpara për bisedimet e paqes në Ukrainë mbetet e paqartë, ka thënë presidenti amerikan Donald Trump, pas asaj që ai e quajti bisedime “mjaft të mira” mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë, të cilat megjithatë nuk arritën një përparim, shkruan The Guardian.
Pas takimit disaorësh në Kremlin të martën, i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, pritej të takoheshin me negociatorin kryesor ukrainas, Rustem Umerov, në Florida të enjten.
Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën, Trump tha se Putin dëshiron të arrijë një marrëveshje, por “çfarë do të dalë nga ai takim nuk mund t’jua them, sepse duhen dy për tango.” Presidenti shtoi se SHBA-të kanë “diçka mjaft mirë të punuar [me Ukrainën].”
Kremlini tha të mërkurën se Putin ka pranuar disa propozime amerikane të synuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe se është i gatshëm të vazhdojë punën për të gjetur një kompromis, por se “kompromiset ende nuk janë gjetur”.
Të dyja palët ranë dakord të mos zbulojnë përmbajtjen e diskutimeve në Kremlin, por të paktën një pengesë madhore për një marrëveshje mbetet: fati i katër rajoneve ukrainase të cilat Rusia i ka të pushtuara pjesërisht.
Një zyrtar rus u tha gazetarëve se “deri tani, nuk është gjetur kompromis” për çështjen e territorit, pa të cilin Kremlini nuk e sheh “asnjë zgjidhje për krizën”.