Rrjedh incizimi: Kryediplomati hungarez ia ofroi Rusisë dërgimin e një dokumenti të BE-së - NACIONALE

Rrjedh incizimi: Kryediplomati hungarez ia ofroi Rusisë dërgimin e një dokumenti të BE-së

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, bëri ofertë që t’i dërgonte homologut të tij rus një dokument rreth pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, pretendohet në një incizim që rrodhi të mërkurën, në shenjën më të re të marrëdhënieve të ngrohta të Budapestit me Moskën.

Incizimet e publikuara nga një grup i mediave hulumtuese, përfshirë “VSquare.org”, janë më të rejat në një varg bisedash të rrjedhura që pretendohet se tregojnë se si qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka punuar për t’u shërbyer interesave ruse dhe për t’i minuar përpjekjet e BE-së për ta ndihmuar Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjencia “Reuters” nuk arriti që ta vërtetonte në mënyrë të pavarur autenticitetin e incizimit, por Szijjarto në të kaluarën ka thënë se përgjimi i telefonatave të tij është “skandal i madh”. Kryeministri Orban ka urdhëruar hetim për rastin.

Publikimi i incizimeve vjen disa ditë para zgjedhjeve që e paraqesin sfidën më të vështirë ndaj pushtetit të tij 16-vjeçar. Sipas sondazheve të pavarura, zgjedhjet e së dielës pritet t’i fitojë udhëheqësi i opozitës me qëndrime pro BE-së dhe ky rezultat do të mund ta distanconte Budapestin nga Moska.

“Do të ta dërgoj. Nuk është problem” – dëgjohet duke thënë Szijjarto në një bisedë, pasi homologu rus, Sergei Lavrov, thotë se Moska po mundohet që të sigurojë një dokument për rolin e gjuhëve të pakicave në bisedimet e Ukrainës për pranim në BE.

Nuk ishte e qartë se për cilin dokument bëhej fjalë dhe nëse ai është i qasshëm në domenin publik.

Një zëdhënës i Qeverisë së Hungarisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të mërkurën. Nuk pati koment të menjëhershëm as nga Kremlini.

Mediumi “VSquare”, me seli në Varshavë të Polonisë, muajin e kaluar publikoi incizim të një bisede tjetër mes kryediplomatit hungarez dhe Lavrovit./Nacionale

Lajme të ngjashme