Rriten tensionet në Izrael, militantët palestinez hedhin raketë në jug të vendit - NACIONALE

Rriten tensionet në Izrael, militantët palestinez hedhin raketë në jug të vendit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas përleshjeve në një vend të shenjtë në Jerusalem, militantët palestinezë kanë hedhur të hënën një raketë në jug të Izraelit për herë të parë pas disa muajsh.

Izraeli tha se e kapi raketën dhe nuk ka dhënë raporte për viktima apo dëme. Ndërsa, për këtë sulm i mban përgjegjës militantë e Hamasit të Gazës. Kjo ishte gjuajtja e parë me raketa që nga nata e Vitit të Ri.

Disa orë më parë, udhëheqësi i grupit militant të Xhihadit Islamik, i cili krenohet me një arsenal raketash, kishte lëshuar një paralajmërim të shkurtër, të fshehtë, duke dënuar "shkeljet" izraelite në Jerusalem.

Ziad al-Nakhala, i cili është i vendosur jashtë territoreve palestineze, tha se kërcënimet për të forcuar një bllokadë izraelito-egjiptiane në Gaza të vendosur pasi Hamasi mori pushtetin 15 vjet më parë "nuk mund të na heshtin nga ajo që po ndodh në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor të pushtuar".

Palestinezët dhe policia izraelite u përleshën gjatë fundjavës në dhe rreth kompleksit të Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, e cila ka qenë prej kohësh një epiqendër e dhunës izraelito-palestineze. Kjo xhami është vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe më i shenjti për hebrenjtë, të cilët i referohen si Tempulli i Malit, sepse xhamia qëndron në majë të një kodre ku në lashtësi kishte të vendosur tempuj hebrenj.

Protestat dhe përleshjet atje vitin e kaluar çuan në një luftë 11-ditore në Gaza.

Ndërsa, tani policia tha se ishin të përkushtuar për të siguruar që hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët - festat kryesore të të cilëve po mbahen këtë vit, të mund t’i festonin të sigurtë në Tokën e Shenjtë. Palestinezët e shohin praninë e policisë izraelite në vend si një provokim dhe thanë se ata kanë përdorur forcë të tepruar.

Përpara sulmit me raketa, edhe kryeministri Naftali Bennett tha se Izraeli ka qenë objektivi i një "fushate nxitëse të udhëhequr nga Hamasi".

Tensionet e fundit vijnë gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit dhe festës njëjavore hebreje të Pashkës. Të krishterët po festojnë gjithashtu javën e tyre të shenjtë që çon në Pashkë dhe dhjetëra mijëra vizitorë janë dyndur në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit - shtëpia e vendeve kryesore të shenjta për të tre besimet.

Jordania dhe Egjipti, të cilët bënë paqe me Izraelin dekada më parë dhe koordinohen me të për çështjet e sigurisë, kanë dënuar veprimet në xhami.

Lajme të ngjashme