Rriten çmimet e grurit pas kërcënimit të Rusisë ndaj anijeve që nisen drejt Ukrainës - NACIONALE

Rriten çmimet e grurit pas kërcënimit të Rusisë ndaj anijeve që nisen drejt Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Çmimet e grurit janë rritur me nivel të ndjeshëm në tregje globale, pasi Rusia tha se do t’i trajtojë si caqe të mundshme ushtarake anijet që nisen drejt porteve ukrainase.

Çmimet e grurit në bursën evropiane u rritën për 8,2 për qind të mërkurën në krahasim me të martën, ndërsa çmimet e misrit u rritën për 5,4 për qind.

Në bursën amerikane, çmimet e grurit u rritën për 8,5 për qind, që ishte rritja më e madhe që nga periudha menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Moska u tërhoq të hënën nga marrëveshja për të cilën kishin ndërmjetësuar OKB-ja dhe Turqia dhe me të cilën sigurohej transporti i drithit përmes Detit të Zi, raporton televizioni BBC.

Gjatë tri netëve të kaluara, Rusia i ka bombarduar qendrat e drithit në Odesa dhe në qytete të tjera të Ukrainës.

Moska ka paralajmëruar se nga e enjtja, çdo anije që niset drejt porteve ukrainase do të shihet si palë që anon nga “regjimi i Kievit”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Adam Hodge, sugjeroi se Rusia ishte duke planifikuar që të godiste anije civile dhe ta fajësonte Ukrainën për këto veprime.

Sipas tij, Rusia ka vendosur më shumë mina ujore afër porteve ukrainase si pjesë e përpjekjes së bashkërenduar për ta justifikuar sulmin ndaj anijeve civile.

Kremlini nuk u përgjigj menjëherë për këtë akuzë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se do ta kthejë Rusinë në marrëveshjen ndërkombëtare për drithin menjëherë pas plotësimit të kërkesave. Në mesin e kërkesave përfshihet largimi i sanksioneve për shitjen e drithit dhe plehrave ruse si dhe rilidhja e një banke bujqësore ruse në një sistem ndërkombëtar të pagesave.

Lajme të ngjashme