Rrihen dhe digjen për vdekje 13 anëtarë të dyshuar të një bande në Haiti
Një grup prej 13 anëtarësh të dyshuar të një bande janë rrahur dhe janë djegur për vdekje nga një turmë njerëzish në kryeqytetin e Haitit, pasi u kapën përderisa policia ishte duke e kërkuar automjetin e tyre.
Raportohet se të dyshuarit u rrahën me goma të lagura me benzinë para se t’u vihej flaka në qytetin Port-au-Prince të hënën, raporton televizioni BBC.
Policia tha se konfiskoi armë nga ta pak para incidentit. Autoritetet nuk kanë shpjeguar se si civilët kishin arritur t’i kapnin të dyshuarit.
Haiti është përfshirë nga kaosi dhe mungesa e zbatimit të ligjit që nga vrasja e presidentit Jovenel Moise në korrikun e vitit 2021.
Kombet e Bashkuara thanë në një raport të publikuar të hënën se pasiguria në kryeqytetin e këtij vendi ka arritur në nivele të ngjashme me ato të shteteve që janë në luftë.
Bandat e armatosura po vazhdojnë që të garojnë për t’i zgjeruar territoret që i kanë nën kontroll dhe përleshjet me policinë dhe me bandat e tjera janë bërë më të dhunshme e më të shpeshta, duke shkaktuar shumë viktima civile, thuhet më tej në këtë raport.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gati 70 persona, përfshirë 18 gra dhe dy fëmijë, kanë vdekur nga dhuna mes bandave vetëm gjatë periudhës 14 – 19 prill.
“Populli i Haitit po vazhdon që të vuajë nga njëra prej krizave më të këqija të të drejtave të njeriut në dekada dhe nga një urgjencë e madhe humanitare”- thuhet në raport.
