Rrëzohet një aeroplan privat në Brazil, vdesin biznesmeni e nëntë anëtarë të familjes - NACIONALE

Rrëzohet një aeroplan privat në Brazil, vdesin biznesmeni e nëntë anëtarë të familjes

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dhjetë anëtarë të një familjeje kanë vdekur, pasi një aeroplan privat u rrëzua në qytetin Gramado, në jug të Brazilit.

Biznesmeni Luiz Claudio Galeazzi, i cili ishte duke e drejtuar aeroplanin, vdiq në aksident bashkë me bashkëshorten, tri vajzat dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, thuhet në një deklaratë të kompanisë së tij, raporton televizioni BBC.

Aeroplani i vogël thuhet se e goditi oxhakun e një ndërtese si dhe një shtëpi e një dyqan gjatë rrëzimit.

Autoritetet lokale thonë se 17 persona në tokë u lënduan nga aksidenti dhe se dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike.

Galeazzi, 61 vjeç, po e dërgonte familjen e tij në një udhëtim për në Jundiai, në shtetin Sao Paulo, sipas raportimeve të mediave braziliane.

Të gjitha viktimat ishin anëtarë të familjes së biznesmenti Galeazzi, tha në një konferencë për gazetarë guvernatori i shtetit Rio Grande do Sul, Eduardo Leite. Ai shtoi se aeroplani ishte nisur në kushte të pafavorshme të motit.

Thuhet se aeroplani fluturoi tri kilometra para se të rrëzohej në zonën urbane të qytetit vetëm disa minuta pas fillimit të fluturimit të dielën në mëngjes.

Galeazzi ishte shef ekzekutiv i kompanisë “Galeazzi & Associados” me seli në Sao Paulo./Nacionale

Lajme të ngjashme