Rrëzimi i aeroplanit të Prigozhinit: Dy banorë të fshatit tregojnë se ç'panë e ç'dëgjuan - NACIONALE

Rrëzimi i aeroplanit të Prigozhinit: Dy banorë të fshatit tregojnë se ç'panë e ç'dëgjuan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Banorët e një fshati afër vendit të rrëzimit të aeroplanit në të cilin ndodhej Yevgeny Prigozhin, shef i grupit “Wagner”, për të cilin raportohet se ka vdekur, thanë se dëgjuan një zhurmë, pastaj e panë aeroplanin duke rënë në tokë.

Aeroplani privat i tipit “Legacy 600” u rrëzua të mërkurën afër fshatit Kuzhenkino të rajonit Tver të Rusisë, rrugës nga Moska për në Shën Petersburg, duke lënë të vdekur të gjithë dhjetë personat që ndodheshin në të – shtatë pasagjerë e tre anëtarë të ekuipazhit, raporton agjencia “Reuters”.

Nuk ka pasur ende koment zyrtar nga Kremlini ose nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë për gjendjen e Prigozhinit, por një kanal në rrjetin “Telegram”, i lidhur me grupin “Wagner”, i quajtur “Zona e Hirtë”, e shpalli atë të vdekur.

Një reporter i agjencisë “Reuters” në vendin e ngjarjes të enjten herët pa disa persona duke larguar trupa në qese të zeza, të vendosur në barela.

Banori i fshatit Kuzhenkino, Vitaly Stepenok, 72 vjeç, i tha agjencisë “Reuters”: “Dëgjova një shpërthim ose një zhurmë. Zakonisht, nëse një shpërthim ndodh në tokë, vjen një jehonë, por ishte vetëm një zhurmë dhe shikova lart, pashë tym të bardhë.”

“Njëri krah u nda në një drejtim dhe trupi i avionit shkoi kështu”- tha ai, duke bërë me duar për të treguar se si aeroplani u nis të binte drejt tokës.

“Pastaj rrëshqiti anash në njërin krah. Nuk shkoi me hundë teposhtë, luhatej”- shtoi ai.

Duke qëndruar në një rrugë të fshatit, ai tha se kishte frikë që aeroplani do të binte mbi ndonjë shtëpi.

“Unë isha atje. I hipa biçikletës dhe isha atje (në vend të ngjarjes) për rreth 20 minuta. Gjithçka ishte në zjarr. Njerëzit ecnin përreth. E tërhoqën dikë, mbetjet... Nuk pashë qartë. E pashë vetëm numrin në aeroplan, të cilin ua tregova, dhe kaq ishte”- shtoi banori i fshatit.

Një banor tjetër, që u prezantua vetëm si Anatoly, tha: “Sa i përket asaj që ka mundur të ketë ndodhur, do ta them vetëm këtë: nuk ishte bubullimë, ishte zhurmë metalike, ta themi kështu. Kam dëgjuar gjëra si kjo më parë.”

Hetuesit rusë thonë se kanë hapur një rast hetimi. Disa burime të paidentifikuara u kanë thënë mediave ruse se besojnë që aeroplani është rrëzuar nga një ose më shumë raketa tokë – ajër. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që ta vërtetojë këtë.

Lajme të ngjashme