Franca: Mund të kemi dyshime të arsyeshme për rrëzimin e aeroplanit të Prigozhinit
Franca tha të enjten se ka dyshime të arsyeshme për shkaktarin e rrëzimit të aeroplanit në të cilin ndodhej shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, i cili raportohet se ka vdekur.
“Ende nuk i dimë rrethanat e këtij rrëzimi. Mund të kemi disa dyshime të arsyeshme”- tha zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran.
Kur u pyet për komentin e presidentit amerikan, Joe Biden, se “pak gjëra ndodhin në Rusi, prapa të cilave nuk qëndron Putini”, Verani u pajtua se “si rregull e përgjithshme, kjo është një e vërtetë që mund të vërtetohet”, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas zëdhënësit francez, Prigozhini ishte “njeriu që e bënte punën e pistë të Putinit. Ajo që ai e ka bërë është e pandashme nga politikat e Putinit, i cili i kishte dhënë atij përgjegjësi për të kryer abuzime si shef i Wagner-it”.
“Prigozhini lë pas vetes varre masive. Lë pas vetes rrëmuja në një pjesë të madhe të globit. Po mendoj për Afrikën, Ukrainën dhe vetë Rusinë”- shtoi Verani.
