Britania beson që FSB-ja e Rusisë qëndron prapa rrëzimit të aeroplanit të Prigozhinit - NACIONALE

Britania beson që FSB-ja e Rusisë qëndron prapa rrëzimit të aeroplanit të Prigozhinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Burimet britanike të mbrojtjes thonë se Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB), agjenci ruse për inteligjencë të brendshme, pasardhëse e KGB-së, me më së shumti gjasa e kishte vënë në shënjestër aeroplanin me të cilin po udhëtonte shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin.

Pjesëtarët e kësaj agjencie janë tërësisht besnikë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe gjithashtu e udhëheqin forcën kufitare, raporton korrespondenti i BBC-së për fushën e sigurisë, Frank Gardner.

Pikëpamja është që kjo ngjarje tani ndoshta e fuqizon pozicionin e ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, dhe të komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, të cilët Prigozhini i kishte kritikuar publikisht për menaxhimin e operacioneve ushtarake në Ukrainë.

Në anën tjetër, fuqizimi i pozicionit të tyre mund të jetë gjë e mirë për Ukrainën, sepse ata cilësohen si të paaftë për kryerjen e detyrave.

Yuri Sak, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, tha se vdekja e raportuar e Prigozhinit është lajm i mirë për Ukrainën.

“Një terrorist më pak nënkupton më shumë jostabilitet në Rusi. Është përsëri një shenjë tjetër se Rusia është duke u bërë shtet i dështuar që drejtohet nga një terrorist që frikësohet nga njerëzit e vet dhe nga pikëpamja jonë, çfarëdo që e bën Rusinë të dobët, na bën ne më të fortë”- tha ai.

Lajme të ngjashme