Rreth 70 ish-zyrtarë amerikanë i bëjnë thirrje Bidenit që të jetë më i ashpër ndaj Izraelit - NACIONALE

Rreth 70 ish-zyrtarë amerikanë i bëjnë thirrje Bidenit që të jetë më i ashpër ndaj Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth 70 ish-zyrtarë, ish-diplomatë e ish-oficerë ushtarakë të ShBA-së i bënë thirrje presidentit Joe Biden të mërkurën që ta paralajmërojë Izraelin për pasoja serioze, nëse ky shtet ua mohon të drejtat civile dhe nevojat themelore palestinezëve dhe nëse e zgjeron ndërtimin e vendbanimeve në Bregun e pushtuar Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme për të ndërmarrë veprim konkret për t’i kundërshtuar” praktikat e tilla, tha grupi i ish-zyrtarëve amerikan në letrën dërguar Bidenit, “përfshirë kufizimet ndaj ofrimit të asistencës në përputhje me ligjet dhe politikat e ShBA-së”, raporton agjencia “Reuters”.

Në mesin e figurave që e kanë nënshkruar letrën janë mbi dhjetë ish-ambasadorë si dhe zyrtarë të tjerë të pensionuar të Departamentit të Shtetit e ish-zyrtarë të Pentagonit, inteligjencës dhe Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Anthony Lake, këshilltar për siguri kombëtare i ish-presidentit Bill Clinton.

Kjo letër e vë në pah zhgënjimin në rritje në ShBA me operacionet izraelite kundër militantëve të Hamasit në Gaza, të nxitura nga sulmi i këtij grupi në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar, kur autoritetet izraelite thonë se u vranë 1.200 persona e 253 të tjerë u morën peng.

Në letër, grupi i ish-zyrtarëve tha se një operacion ushtarak izraelit kundër Hamasit është “i nevojshëm dhe i justifikuar”, por se operacionet e Izraelit “janë shënuar me shkelje të përsëritura” të së drejtës ndërkombëtare që e ndalon vrasjen pa dallim dhe përdorimin e armëve që nuk lejojnë dallim mes luftëtarëve e civilëve.

“Dhjetëra mijëra civilë të Gazës janë vrarë, shumica prej të cilëve janë gra dhe fëmijë. Vrasjet civile të kësaj natyre dhe madhësie nuk mund të justifikohen” – thuhet më tej në letrën dërguar presidentit Biden.

Grupi tha se e përkrah fuqishëm thirrjen e presidentit amerikan për një armëpushim të menjëhershëm prej të paktën gjashtë javësh, themelimin e një sistemi të besueshëm për shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe lirimin e pengjeve.

Nënshkruesit gjithashtu i bënë thirrje ushtrisë izraelite që t’i zbatojë rregullat e betejave në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme