Rrëshqitja e dheut merr një veturë me vete, zhduken nënë e bir në Itali
Zjarrfikësit dhe karabinierët po e vazhdojnë kërkimin me ndihmën e qenve nuhatës për një grua 74 vjeçe dhe të birin e saj 42 vjeç, të cilët janë zhdukur nga pasditja e së martës, pasi automjeti i tyre me tri rrota u mor me vete nga balta dhe mbetjet që u shkëputën nga një kodër në Talacino, raporton agjencia italiane e lajmeve, ANSA.
Automjeti u gjet mbrëmë në një hendek, por jo edhe dy personat. Dëmet materiale në atë zonë janë të gjera, sipas kësaj agjencie.
Moti i lig e goditi qytezën San Felice a Cancello, rreth 30 kilometra në jug të Napolit, si dhe komunat afër saj, të martën pasdite.
“Shpresojmë që ata të kenë kërcyer... dhe që mund të jenë ende gjallë diku, por nga ajo që më thonë ekspertët, nuk ka shumë shpresë” – tha kryetari i qytezës, Emilio Nuzzo.
Brigada e zjarrfikësve tha se dhjetë ekipe shpëtimi ishin dislokuar për t’i gjetur dy personat e zhdukur dhe se rrëshqitja e dheut kishte detyruar njerëz që të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Moti i lig preku edhe pjesë të tjera të Italisë të martën. Stuhi të fuqishme dhe breshër pati edhe në zonat e Milanos e Komos si dhe në bregdetin e Tuskanës.