Roja bregdetare greke shpëton 108 emigrantë, të zhdukur edhe katër të tjerë - NACIONALE

Roja bregdetare greke shpëton 108 emigrantë, të zhdukur edhe katër të tjerë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet greke thanë të dielën se kanë shpëtuar 108 emigrantë nga një varkë që ishte gjetur pa timon shkaku i erërave të forta në Detin Egje.

Sipas Associated Press, ndër emigrantët e shpëtuar ishin 63 burra, 24 gra dhe 21 fëmijë, ndërsa ata kanë njoftuar autoritetet se edhe katër persona të tjerë janë zhdukur.

Mëngjesin e së dielës, ekipet e shpëtimit kishin arritur të tërheqin varkën me vela në një ishull pranë Mykonos, ku kishin transportuar edhe emigrantët.

Emigrantët kanë njoftuar se udhëtimi i tyre ka nisur nga Turqia.

Ministri i Transportit dhe Politikës së Ishullit, Ioannis Plakiotakis tha se, "edhe një herë, roja bregdetare shpëtoi jetë që rrjetet e pamëshirshme të trafikimit i kanë ekspozuar ndaj rrezikut vdekjeprurës pa masa të mbrojtjes".

Ndërkohë në një rast tjetër, edhe Maqedonia e Veriut ka njoftuar se ka zbuluar 71 emigrantë në dy operacione të ndara, duke arrestuar edhe tre burra të dyshuar për trafikim njerëzor.

Lajme të ngjashme