Rinisin në Paris bisedimet për armëpushim në Gaza, vazhdojnë sulmet ajrore - NACIONALE

Rinisin në Paris bisedimet për armëpushim në Gaza, vazhdojnë sulmet ajrore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bisedimet për armëpushim në Gaza rinisën të premten në Paris, në atë që duket shtytja më serioze në javët e fundit për ndërprerjen e luftimeve në enklavën e dërrmuar palestineze dhe për lirimin e pengjeve izraelite.

Një burim i njoftuar rreth bisedimeve për armëpushim, i cili nuk mund të identifikohej me emër ose kombësi, tha se bisedimet kishin nisur me takime të ndara të shefit të agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, me secilën palë ndërmjetësuese – Katarin, Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia “Reuters”.

“Ka shenja optimizmi që po lulëzojnë për mundësinë e lëvizjes përpara drejt fillimit të një bisede serioze” – tha ky burim. Televizioni egjiptian “Al Qahera” gjithashtu raportoi se bisedimet kishin nisur.

Një zyrtar i Hamasit tha se ky grup i kishte përmbyllur bisedimet në Kajro dhe se tani po priste që të shihte se çfarë do të sillnin ndërmjetësuesit nga bisedimet e fundjavës me Izraelin.

Ndërmjetësuesit i kanë shtuar përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gaza, me shpresën se do të shmangin një sulm izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku po strehohen mbi një milion njerëz të zhvendosur.

Izraeli thotë se do ta sulmojë këtë qytet, nëse një marrëveshje armëpushimi nuk arrihet së shpejti. Uashingtoni i ka bërë thirrje aleatit të ngushtë që të mos veprojë kështu, duke paralajmëruar për numër të madh të viktimave civile, nëse zhvillohet ky plan.

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, u takua me ndërmjetësues egjiptianë në Kajro për të diskutuar rreth një armëpushimi javën që po kalon, në vizitën e tij të parë atje që nga dhjetori.

Dy burime egjiptiane të sigurisë më herët konfirmuan se shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, do të nisej të premten drejt Parisit për bisedime me përfaqësuesit izraelitë, pas përmbylljes së bisedimeve me udhëheqësin e Hamasit të enjten.

Izraeli nuk i ka komentuar publikisht bisedimet e Parisit, të cilat pritet të vazhdojnë gjatë kësaj fundjave.

Zyrtari i Hamasit, i cili kërkoi që të mos i publikohej emir, tha se grupi nuk kishte ofruar ndonjë propozim të ri gjatë bisedimeve me egjiptianët, por po priste që të shihte se çfarë do të sillnin ndërmjetësuesit nga bisedimet e tyre me izraelitët.

“Ne e diskutuam propozimin tonë me ta [egjiptianët] dhe do të presim derisa ata të kthehen nga Parisi” – tha zyrtari i Hamasit.

Kur terri ra në Gaza, një sulm ajror, që në shënjestër kishte një njësi banimi në Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, la të vrarë të paktën 22 palestinezë, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf Al-Qidra.

Zyrtarët shëndetësorë thanë se shumë anëtarë të familjes së humoristit Mahmoud Abu Zaeiter ishin në mesin e të vrarëve.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza më herët tha se 104 njerëz ishin vrarë e 160 të tjerë ishin plagosur nga sulmet ushtarake izraelite gjatë 24 orëve të kaluara.

Ushtria izraelite tha se kishte vrarë dhjetëra militantë e kishte konfiskuar armë në mbarë Gazën nga dita e enjte.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme