Rindërtimi dhe rimëkëmbja e Ukrainës do të kushtojnë 524 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme
Kostoja e rindërtimit dhe rimëkëmbjes në Ukrainë pas tre vitesh nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë do të arrijë në 524 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme, sipas një raporti të publikuar nga Qeveria e Ukrainës, Grupi i Bankës Botërore, Komisioni Evropian dhe Kombet e Bashkuara, shkruan The Guardian.
Ky është afërsisht 2.8 herë më shumë se GDP-ja nominale e vlerësuar e Ukrainës për vitin 2024, shton raporti i Vlerësimit të Shpejtë të Dëmeve dhe Nevojave (RDNA4).
RDNA4, i cili mbulon dëmet e shkaktuara për gati tre vjet – nga 24 shkurt 2022 deri më 31 dhjetor 2024 – tregon se dëmi i drejtpërdrejtë në Ukrainë ka arritur tashmë në 176 miliardë dollarë, duke u rritur nga 152 miliardë dollarë në shkurt 2024, sipas vlerësimit të Bankës Botërore.
Sipas vlerësimit aktual të raportit, "13% e totalit të fondit të banesave është dëmtuar ose shkatërruar, duke prekur më shumë se 2.5 milionë familje".
Duke iu përgjigjur gjetjeve, kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha:
“Gjatë vitit të kaluar, nevojat për rimëkëmbjen e Ukrainës kanë vazhduar të rriten për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë.
Faza e katërt e Vlerësimit të Shpejtë të Dëmeve dhe Nevojave mbetet thelbësore për strategjinë tonë të rimëkëmbjes.”
Ai shtoi: “Këtë vit, qeveria vazhdon programin e rimëkëmbjes së shpejtë, duke u përqendruar kryesisht në riparimin dhe zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe rindërtimin e strehimit për familjet ukrainase.”