Rezistenca Islamike në Irak zotohet për dëbimin e trupave amerikane nga shteti
Rezistenca Islamike në Irak (IRI), organizatë e përbashkët e grupeve militante të përkrahura nga Irani, ka thënë se do t’i vazhdojë sulmet ndaj caqeve amerikane dhe se do t’i dëbojë ushtarët e ShBA-së nga Iraku.
Në një deklaratë të publikuar të premten në mbrëmje, kjo organizatë tha se ShBA-ja, të cilës i referohet si armike pushtuese, nuk kupton asgjë tjetër pos “gjuhës së armëve” dhe se sulmet e reja amerikane në Irak, përfshirë vrasjen e komandantit të lartë të grupit Kataib Hezbollah, Wisam Mohammed Saber al-Saedi, në Bagdad të mërkurën, “i shkelën rregullat e betejës”, raporton televizioni CNN.
IRI-ja do të kundërpërgjigjet me “sulme të gjera”, thuhet në deklaratë, ku u bëhet thirrje edhe të tjerëve për t’iu bashkuar rezistencës. Më tej thuhet se grupi do t’i bëjë të gjitha përpjekjet për “dëbimin e pushtimit në këtë gjendje historike në Irak dhe rajon”.
Rreth kohës së njëjtë, të premten në mbrëmje, grupi Kataib Hezbollah, njëri nga më të fuqishmit në organizatën IRI, u zotua për hakmarrje për vrasjen e komandantit Al-Saedi.
“Është faza e hakmarrjes, dhe çlirimi e ferri po vijnë” – thuhet në deklaratën e këtij grupi.
Muajin e kaluar, Kataib Hezbollahu kishte thënë se do t’i pezullonte operacionet e veta ushtarake kundër forcave amerikane në rajon, dy ditë pas një sulmi me dron që la të vrarë tre ushtarë amerikanë në Jordani.
Shtetet e Bashkuara, megjithatë, u zotuan për t’u kundërpërgjigjur pas vrasjes së tre ushtarëve dhe kanë kryer sulme vdekjeprurëse në Irak e Siri ditëve të fundit.
Kataib Hezbollahu nuk është pjesë vetëm e IRI-së, por edhe e Njësiteve të Mobilizimit Popullor, forcë paramilitare kryesisht shiite, e përkrahur nga Irani, me bazë në Irak. Ndryshe nga grupet e tjera të mbështetura nga Irani, Njësitet e Mobilizimit Popullor janë të lidhura me qeverinë irakiane dhe zyrtarisht janë nën autoritetin e forcave ushtarake irakiane.