“Reuters”: Trumpi e miratoi operacionin kundër Iranit pasi Netanyahu e propozoi vrasjen e përbashkët të Khameneit
Më pak se 48 orë para fillimit të sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, foli përmes telefonit me presidentin amerikan, Donald Trump, për arsyet për nisjen e luftës komplekse për të cilën kreu i Shtëpisë së Bardhë dikur kishte bërë fushatë kundër saj.
Trumpi dhe Netanyahu ishin të njoftuar nga inteligjenca më herët atë javë se lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe komandantë kyçë ushtarakë do të takoheshin së shpejti në një kompleks në Teheran, duke i bërë ata të ndjeshëm ndaj një “sulmi me heqje koke” – sulm kundër udhëheqësve të lartë të një vendi që përdoret shpesh nga izraelitët, por tradicionalisht më rrallë nga Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, të dhënat e reja të inteligjencës linin të kuptohej se takimi ishte caktuar tashmë për të shunën në mëngjes, nga e shtuna në mbrëmje si ishte më parë, sipas tre personave me njohuri rreth telefonatës.
Netanyahu, i vendosur për të ecur përpara me një operacion për të cilin me dekada kishte bërë thirrje, argumentoi se mund të mos ekzistonte kurrë më ndonjë mundësi më e mirë për vrasjen e Khameneit dhe për t’u hakmarrë për përpjekjet e mëparshme të Iranit për vrasjen e Trumpit, thanë këto burime. Këtu përfshihej një komplot që dyshohej si i organizuar nga Irani më 2024, kur Trumpi ishte kanidat për president.
Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së ka akuzuar një burrë pakistanez se po mundohej të rekrutonte njerëz në ShBA në këtë plan, i cili synohej si hakmarrje për vrasjen e komandantit të Rojave Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimani, nga forcat amerikane.
Para se telefonata me Netanyahun të realizohej, Trumpi e kishte miratuar idenë që Shtetet e Bashkuara të zhvillonin një operacion ushtarak kundër Iranit, por ende nuk kishte vendosur se kur ose në çfarë rrethanash do të përfshihej ShBA-ja, thanë burimet, të cilat folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së diskutimeve të brendshme.
Ushtria amerikane me javë të tëra kishte ndërtuar një prani në rajon, duke nxitur shumë figura brenda administratës së Trumpit që të arrinin në përfundimin se ishte vetëm çështje kohe se kur presidenti do të vendoste që të niste plani. Një datë e mundshme, vetëm pak ditë më herët, ishte shfuqizuar për shkak të motit të lig.
Agjencia “Reuters” nuk arriti që të përcaktonte se si argumenti i Netanyahut kishte ndikuar te Trumpi, kur amerikan po e shqyrtonte lëshimin e urdhrave për sulm, por telefonata e paraqiti argumentin përmbyllës të kryeministrit izraelit para presidentit amerikan. Tri burimet me njohuri rreth bisedës thanë se besojnë që ky argument – bashkë me të dhënat e inteligjencës që tregonin për një mundësi që po tkurrej për vrasjen e udhëheqësit iranian – ishte katalizator për vendimin përfundimtar të Trumpit që ta urdhëronte ushtrinë më 27 shkurt për nisjen e operacionit “Furia Epike”.
Në një përgjigje ndaj kërkesës për koment, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, nuk e adresoi drejtpërdrejt telefonatën mes Trumpit dhe Netanyahut, por agjencisë “Reuters” i tha se operacioni ushtarak ishte i hartuar për t’i “shkatërruar kapacitetet prodhuese dhe të raketave balistike të regjimit iranian, për ta asgjësuar marinën e regjimit iranian, për t’i dhënë fund aftësisë së tij për armatosjen e grupeve prokura dhe për të garantuar që Irani kurrë të mos mund të sigurojë një armë bërthamore”.
As zyra e Netanyahut, as përfaqësuesi i Iranit në OKB nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./Nacionale