“Reuters”: Siria e arreston gazetarin amerikan që e kritikonte Qeverinë e saj dhe lidhjen me ShBA-në
Një gazetar i njohur islamist amerikan, i cili kishte kritika për Qeverinë e re të Sirisë dhe bashkëpunimin e ri të saj me Shtetet e Bashkuara është ndaluar nga forcat siriane të sigurisë, thanë të martën dy persona të afërt me çështjen.
Bilal Abdul Kareem, ish-humorist i komedive të stilit “stand-up” në ShBA, i shndërruar në gazetar të luftës që ka qenë duke jetuar në Siri që nga viti 2012 dhe ka punuar me shumë media të huaja, u ndalua të hënën në Al-Bab, në provincën veriore të Alepos, thanë burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministria e Informacionit e Sirisë, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme dhe një zëdhënës i të dërguarit të posaçëm amerikan në Siri nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Abdul Kareem ka qenë zë i dalluar në mesin e islamistëve të huaj në Siri, duke u dhënë zë atyre që mendojnë se presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa, po bën shumë kompromise sa u përket vlerave islame që nga koha kur ka ardhur në pushtet.
Në gusht, Abdul Kareem kishte kërkuar nga shteti sirian që t’u jepte shtetësi xhihadistëve të huaj në mesin e rebelëve që erdhën në pushtet me grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili e rrëzoi para një viti ish-presidentin Bashar al-Assad.
Në videon më të fundit të Abdul Kareemit, ai e kritikoi vendimin e Sirisë për t’u bërë pjesë e koalicionit global të udhëhequr nga ShBA-ja për ta luftuar ISIS-in.