“Reuters”: ShBA-ja pakëson ndihmat, racionet ushqimore për 3,5 milionë njerëz po prishen në depo - NACIONALE

“Reuters”: ShBA-ja pakëson ndihmat, racionet ushqimore për 3,5 milionë njerëz po prishen në depo

1 vit më parë

nga NACIONALE

Racionet ushqimore që do të mund të përdoreshin për 3,5 milionë njerëz për një muaj po prishen nëpër depo në pjesën të ndryshme të botës për shkak të zvogëlimit të ndihmave nga Shtetet e Bashkuara dhe ka rrezik që ato të bëhen të papërdorshme, sipas pesë personave të afërt me çështjen.

Rezervat ushqimore kanë mbetur të bllokuara në katër depo qeveritare amerikane që nga vendimi i administratës së presidentit Donald Trump në janar për zvogëlimin e programeve globale të ndihmave, sipas tre personave që më parë kanë punuar në Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe sipas dy burimeve nga organizata të tjera të ndihmave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Disa rezerva që pritet t’u skadojë afati në korrik me gjasë do të shkatërrohen, qoftë përmes djegies, duke i përdorur si ushqim për kafshë ose duke i asgjësuar në mënyra të tjera, thanë dy prej burimeve.

Depot, të cilat menaxhohen nga Byroja për Asistencë Humanitare e USAID-it, përmbajnë mes 60 mijë e 66 mijë tonë ushqim, burimi i të cilit janë fermerët dhe prodhuesit amerikanë, thanë pesë personat e afërt me çështjen.

Një listë inventari e depove – të cilat ndodhen në Xhibuti, Afrikë të Jugut, Dubai dhe Houston – tregonte se ato pmërbajnë më shumë se 66 mijë tonë mallra, përfshirë biskota me energji të lartë, vaj bimor e drithëra.

Vlera e këtij malli është mbi 98 milionë dollar, sipas dokumentit të analizuar nga agjencia “Reuters” dhe i cili u ofrua nga një zyrtar dhe u vërtetua nga një burim brenda qeverisë amerikane si dokument i përditësuar.

Me këtë ushqim do të mund të ushqeheshin më shumë se një milion njerëz për tre muaj ose tërë popullsia e Gazës për një muaj e gjysmë, sipas një analize të agjencisë “Reuters”, e cila u krye duke përdorur shifra nga Programi Botëror i Ushqimit, agjencia më e madhe humanitare në botë.

Programi Botëror i Ushqimit, pjesë e OKB-së, thotë se një ton ushqim – që zakonisht përfshirn drithëra e vaj – mund t’i plotësojë nevojat ditore të rreth 1.660 njerëzve.

Zvogëlimi i shpenzimeve për ndihma humanitare nga presidenti Trump po bëhet në kohën kur nivelet globale të urisë janë duke u rritur për shkak të konflikteve dhe ndryshimeve klimatike, të cilat po çojnë më shumë njerëz drejt urisë, duke zhbërë disa dekada progres.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit, 343 milionë njerëz janë duke u ballafaquar me nivele akute të pasigurisë ushqimore në mbarë botën. Prej tyre, 1,9 milion njerëz janë prekur nga uria katastrofale dhe janë buzë vdekjes. Shumica prej tyre janë në Gaza dhe Sudan, por edhe në disa pjesë të Sudanit të Jugut, Haitit dhe Malit./Nacionale

Lajme të ngjashme