“Reuters”: Izraeli dhe Siria janë në bisedime të drejtpërdrejta - NACIONALE

“Reuters”: Izraeli dhe Siria janë në bisedime të drejtpërdrejta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli dhe Siria janë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe në javët e fundit kanë mbajtur takime sy më sy me qëllim të uljes së tensioneve dhe parandalimit të konfliktit në rajonin kufitar mes dy armiqve të vjetër, thanë pesë persona të afërt me çështjen.

Këto kontakte shënojnë një zhvillim domethënës në marrëdhëniet mes dy vendeve që kanë qenë në anë të kundërta të konfliktit në Lindjen e Mesme me dekada, përderisa Shtetet e Bashkuara po i inkurajojnë udhëheqësit e rinj sirianë që të vendosin marrëdhënie me Izraelin, ndërsa Izraeli ta pakësojë bombardimin e Sirisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes për dy vendet që nuk kanë marrëdhënie zyrtare dhe kanë histori urrejtjeje. Për bisedimet e drejtpërdrejta dhe fushën e tyre nuk është raportuar më parë.

Në anën siriane, burimet thanë se kontaktet janë drejtuar nga zyrtari i lartë i sigurisë, Ahmad al-Dalati, i cili është emëruar guvernator i provincës Quneitra, që kufizohet me Rrafshnaltën e Golanit të pushtuar nga Izraeli, pas rënies së ish-presidentit Bashar al-Assad. Më herët këtë javë, Dalati u ngarkua edhe me detyrën e mbajtjes së sigurisë në provincën jugore Sweida, ku banon pakica Druze e Sirisë.

Agjencia “Reuters” nuk arriti që të merrte vesh se kush ka marrë pjesë në bisedime nga pala izraelite, edhe pse dy prej burimeve thanë se bëhet fjalë për zyrtarë të sigurisë.

Tri prej burimeve thanë se janë zhvilluar disa runde të takimeve sy më sy në rajonin kufitar, përfshirë disa në territorin e kontrolluar nga Izraeli.

Ministria e Jashtme e Izraelit dhe zyrtarë sirianë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Më herët këtë muaj, presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, i konfirmoi bisedimet e tërthorta me Izraelin. Sipas tij, qëllimi i atyre kontakteve ishte qetësimi i tensioneve. Pranimi publik erdhi pas raportimit të agjencisë “Reuters” se bisedimet po ndërmjetësoheshin nga Emiratet e Bashkuara Arabe./Nacionale

Lajme të ngjashme