“Reuters”: Forcat ruse po i afrohen qendrës logjistike kyçe, Pokrovskut
Forcat ruse po afrohen ngadalë përreth qytetin ukrainas në Pokrovskut, qendër logjistike kyçe linjat kryesore të furnizimit të së cilës janë nën rrezik gati tri vjet pas fillimit të pushtimit rus.
Përderisa Ukraina po e mbron me kokëfortësi qytetin, rrethimi ose rënia e tij do të mund ta vendoste Rusinë në një pozitë të fuqishme për të nisur sulme në disa drejtime në lindje dhe për ta shtuar trysninë ndaj Kievit në një udhëkryq kritik të luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Brenda Pokrovskut, jeta është e zymtë. Sipas guvernatorit rajonal, shtatë mijë banorë kanë mbetur nga popullsia e paraluftës prej 60 mijë njerëzish. Zyra e fundit postare u mbyll rishtazi. Dërgesat tani do të shpërndahen me një kamion të blinduar.
Në cilëndo anë të qytetit, trupat ruse ndodhen brenda rrezes së artilerisë dhe të dronëve ndaj një autostrade jetike që kalon nga lindja drejt perëndimit në mbarë Ukrainën dhe shumë automjete tani bëjnë rrugë të devijuara për të arritur në qytet për shkaqe sigurie.
Në ditët e fundit, forcat ruse kanë arritur te vija kryesore hekurudhore që çon në qytet nga qendra më e rëndësishme logjistike në pjesën lindore të Ukrainës, qyteti Dnipro.
“Situata është përgjithësisht e vështirë, armiku vazhdimisht po sulmon në këmbë” – tha nënkomandanti i Brigadës së 59-të Sulmuese të Ukrainës, e cila është duke luftuar në frontin e Pokrovskut.
Ai kërkoi që të identifikohej me nofkën ushtarake Feniksi për arsye sigurie.
Oficeri ushtarak tha se armiku ka shumë më shumë këmbësori, sulmon në grupe të vogla që janë të gatshme për të pësuar pasoja të rënda në njerëz dhe me mjeshtëri i ka shfrytëzuar peizazhin dhe motin me dukshmëri të vogël për t’u fshehur nga dronët.
“Ata janë duke lëvizur përpara ditë e natë” – tha Feniksi.
Lidhjet rrugore e hekurudhore të Pokrovskut e kanë bërë atë qendër të rëndësishme të furnizimit për një pjesë të madhe të frontit të Ukrainës, edhe pse muajve të fundit rreziku nga artileria dhe dronët rusë e ka kufizuar këtë funksion.
Michael Kofman nga organizata “Carnegie Endowment for International Peace” në Uashington, tha se rrugët transit të Pokrovskut nënkuptojnë se, nëse ai bie, forcat ruse mund ta shfrytëzojnë qytetin si vendnisje për të bërë shtytje drejt veriut ose perëndimit.
Rajoni i Dnipropetrovskut është provincë e madhe pjesa lindore e së cilës është përballë Pokrovskut dhe trupat ruse tani për tani ndodhen rreth pesë kilometra larg kufirit të saj. Dnipropetrovsku nuk është njëri nga katër rajonet ukrainase të cilat Rusia pretendon se i ka aneksuar./Nacionale/Nasuf Abdyli