"Reuters": Emërimi i hetuesit të posaçëm për të birin mund t'ia dëmtojë fushatën Bidenit
Emërimi i një hetuesi të posaçëm të premten për ta hetuar të birin e presidentit Joe Biden të ShBA-së, Hunter, pritet të hedhë hije mbi fushatën e kreut të Shtëpisë së Bardhë për ta fituar mandatin e dytë në krye të vendit.
Roli i ri i prokurorit në Delaware, David Weiss, mund ta detyrojë presidentin Biden që të ballafaqohet me tituj të pakëndshëm të mediave dhe mund t’i pengojë atë dhe fushatën e tij, kur kreu i shtetit do të parapëlqente që të fliste për ekonominë ose legjislacionin, përderisa bën fushatë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, sipas zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike.
“Kjo do të ketë ndikim të konsiderueshëm ndaj rizgjedhjes. Ata e bartin rrezikun që vazhdimisht të largohen nga mesazhi. Kurdo që dikush del para një jurie ose i lëshohet fletëthirrje, shtypi do të pyesë vazhdimisht për këtë. Bideni dëshiron që të flasë për ekonominë, për armët, për sigurinë kombëtare dhe do të ketë më pak mundësi për këtë”- tha një anëtar i lartë i Partisë Demokratike, raporton agjencia “Reuters”.
Demokratët kanë frikë, gjithashtu, se hetimet e hetuesit të posaçëm mund të zgjerohen.
“Hetuesit e posaçëm gjithmonë gjejnë gjëra që nuk presin se do t’i gjejnë. (Hetimi ndaj ish-presidentit Bill) Clinton nisi si hetim për një marrëveshje për patundshmëri q ai dhe Hillary e kishin bërë, kur ai ishte guvernator, dhe përfundoi me Monica Lewinsky-n”- tha anëtari i lartë i Partisë Demokratike.
Zyrtarët e fushatës së Bidenit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Hunter Biden, i biri i presidentit Joe Biden, në korrik u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për mospagim të më shumë se 100 mijë dollarëve taksa për mbi 1,5 milion dollarë të hyra më 2017 dhe 2018. Ai nuk u fut në marrëveshje me prokurorët për një rast tjetër, në të cilin akuzohet për posedim të paligjshëm të një arme zjarri gjatë përdorimit të drogave ilegale, akuzë që paraqet kundërvajtje.
Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike kishin shpresuar se një marrëveshje ligjore mes Hunter Bidenit dhe Weiss-it do t’i mundësonte presidentit Biden që t’i linte pas shpine telashet ligjore të të birit dhe ta rregullonte çështjen përmes hetimeve të Kongresit të udhëhequr nga Partia Republikane.
Megjithatë, një gjykatës federal refuzoi që të pranonte një marrëveshje të propozuar dhe Weiss-i tha se një dokument gjykate të premten se bisedimet mes dy palëve kanë dështuar.
Republikanët e kanë akuzuar presidentin Biden se ka përfituar nga sipërmarrjet biznesore të të birit në Ukrainë dhe Kinë, edhe pse ata ende nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi për shkelje. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha në korrik se ky organ mund të nisë një hetim në vjeshtë.
