Reshje të dendura shiu e vërshime në Kinë, të paktën 11 të vdekur në Pekin
Njëmbëdhjetë persona kanë vdekur nga reshjet e dendura të shiut në Pekin, sipas mediave shtetërore kineze, përderisa reshjet e shiut vazhduan për ditën e katër radhazi.
27 persona të tjerë raportohet të ishin zhdukur deri në orën 6 të mëngjesit të martën, raportoi televizioni shtetëror, CCTV, pasi një tajfun shkaktoi reshje të vazhdueshme dhe vërshime të gjera në pjesën veriore të Kinës, raporton gazeta “The Guardian”.
Uji në lumenj ka arritur në nivel të rrezikshëm, duke i nxitur autoritetet në Pekin që të përdorin një rezervuar në rast të vërshimeve për herë të parë që nga ndërtimi i tij para 25 vjetëve. Deri të hënën natën, në kryeqytetin kinez ishin mbyllur mbi 100 rrugë malore dhe ishin evakuuar më shumë se 52 mijë njerëz nga shtëpitë e tyre.
Tajfuni “Doksuri”, që ishte njëra ndër stuhitë më të fuqishme që e kanë goditur Kinën viteve të fundit, u dobësuar me të arritur në pjesën e brendshme te territorit tokësor të vendit, por autoritetet paralajmëruan se rreziku për vërshime të mëtejme e fatkeqësi të tjera gjeologjike mbetet.
Stuhi të lokalizuara dhe erë e fuqishme janë parashikuar për të martën në Pekin si dhe në qytetin fqinj, Tianjin, e në provincën Hebei, raportoi televizioni CCTV.
Disa vija të trenave nëntokësorë në Pekin u pezulluan të martën. Dëme të rënda u regjistruan të hënën në distriktin Mentougou të kryeqytetit kinez, pasi reshjet e dendura i shndërruan rrugët në lumenj, duke marrë me vete vetura.
Një njësi ushtarake me 26 ushtarë e katër helikopterë nisi në orët e hershme të së martës një mision shpëtimi për t’u dërguar pako ushqimore e rroba personave të ngujuar në një stacion të trenit dhe përreth tij në Mentougou.
Autoritetet në Pekin thanë se sasia e reshjeve gjatë ditëve të fundit e ka thyer rekordin e një stuhie të ashpër që kishte ndodhur para 11 viteve. Në korrikun e vitit 2012, Pekini ishte goditur nga stuhia më e fuqishme që nga themelimi i Kinës moderne. Për një ditë kishte rënë shi prej 190,3 milimetrash, duke prekur më shumë se 1,6 milionë njerëz.