Regjimi ushtarak i Birmanisë ua kishte ndalur pagat rreth 125.000 mësimdhënësve
Më shumë se 125.000 mësues janë pezulluar vitin e kaluar në Birmani si pjesë e hakmarrjes së regjimit ushtarak kundër atyre që po kërkojnë pushtet demokratik, më saktësisht sindikatave dhe mësuesve.
Mësuesit dhe stafi i universiteteve kanë qenë në ballë të luftës për demokraci në Birmani që nga puçi ushtarak i 1 shkurtit. Federata e Mësuesve të Mianmarit (emri i ri i Birmanisë) dhe sindikata të tjera të arsimit kanë qenë pjesë e lëvizjes kryengritëse dhe kanë marrë pjesë në greva e protesta. Me pak përjashtime, shkollat dhe universitetet janë mbyllur.
Federata e Mësuesve të Mianmarit ka raportuar se mbi 125.000 mësimdhënës janë pezulluar pa pagesë nga autoritetet ushtarake për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj pushtetit ushtarak, sipas unionit global të sindikatave të arsimit, “Education International”.
Ky union raportoi vitin e kaluar se bojkotimi i procesit mësimor nuk ishte vetëm shprehje e kundërshtimit ndaj ushtrisë dhe indoktrinimit të saj, por është nxitur edhe nga shqetësimi për sigurinë, pasi kishte raportime se forcat e sigurisë janë futur në disa shkolla.
As a former teacher in monastic & high schools, these pictures hurt me.
— Thinzar Shunlei Yi (@thinzashunleiyi) June 5, 2021
Students must learn from teachers, not from soilders. #WhatsHappeninglnMyanmar #June5Coup pic.twitter.com/VIPAsk3ckE
Për më tepër, më shumë se 11.000 akademikë dhe anëtarë të stafit të universiteteve ishin pezulluar për shkak të grevës kundër regjimit ushtarak, sipas unionit ndërkombëtar të sindikatave të arsimit, “Education International”.
Viti i ri shkollor në Birmani ka filluar në qershor. Regjimi ushtarak po mundohet që ta paraqesë situatën në arsim si normale, por kundërshtarët duan që mësuesit dhe studentët të mos bëhen pjesë e sistemit.
Gjashtëmbëdhjetë muaj pas puçit, qeveria ushtarake në qershor u mundua që t’i joshte mësuesit që ende janë në grevë për t’u kthyer në shkolla, duke u thënë se atyre që nuk gjykohen të kenë kryer krime serioze, mungesa do t’u llogaritet thjesht si “pushim pa pagesë”, raporton “Japan Times”.
Vitin e kaluar, shumë mësues vendosën që të mos bëhen pjesë e sistemit arsimor të kontrolluar nga regjimi ushtarak. Një mësuese nga rajoni jugor, Mon, emri i vërtetë i së cilës nuk është publikuar për arsye sigurie, tha se nuk do të punojë, raporton “France24”.
Mësuesja e shkollës fillore ka humbur disa paga, pasi i ishte bashkuar bojkotit mbarëkombëtar, por nuk i vjen keq që ka marrë pjesë në grevë./Nacionale
