Rebelët Houthi thonë se kanë goditur një anije tregtare të ShBA-së në Detin e Kuq
Lëvizja Houthi në Jemen thotë se ka goditur një anije tregtare amerikane në Detin e Kuq në një sulm të ri që në shënjestër i ka lundrimet komerciale.
Rebelët pretenduan se anija e goditur quhet KOI dhe se ajo operohet nga ShBA-ja, raporton televizioni BBC.
Kompania për siguri detare, “Ambrey”, tha se anija që po operonte në jug të portit jugor jemenas, Aden, kishte raportuar për një shpërthim në të, por nuk u bë i ditur emri i anijes.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kryen sulme të reja ajrore në Jemen, duke vënë në shënjestër dhjetë dronë që thuhet se po përgatiteshin për t’u hedhur.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, anija KOI është anije mallrash me flamur të Liberisë e që operohet nga kompania me bazë në Britani, “Oceonix Services”. Në mesin e flotës së të njëjtës kompani përfshihet anija për transportimin e naftës, “Marlin Luanda”, e cila të shtunën u dëmtua nga një raketë.
Rebelët Houthi i konsiderojnë të gjitha anijet izraelite, amerikane e britanike si caqe legjitime pas nisjes së ofensivës së forcave të Izraelit kundër Hamasit në Gaza. Në anën tjetër, ShBA-ja e Britania po vënë në shënjestër pozicione të rebelëve për hedhjen e raketave në ato që dy shtetet po i quajnë përpjekje për ta mbrojtur tregtinë.
Zëdhënësi ushtarak i grupit Houthi, Yahya Sarea, tha të mërkurën se forcat e armatosura të lëvizjes kishin vënë në shënjestër një anije tregtare amerikane me emrin KOI me “disa raketa të përshtatshme detare”.
Sipas tij, anija ishte nisur drejt “porteve të Palestinës së pushtuar”, frazë që nganjëherë e nënkupton territorin e Izraelit.
Sarea shtoi se Jemeni “nuk do të ngurrojë” që të hakmerret kundër “eskalimit britaniko-amerikan”.
“Të gjitha anijet amerikane e britanike në Detin e Kuq dhe Detin Arab janë shënjestra legjitime për Forcat e Armatosura të Jemenit për aq gjatë sa vazhdon agresioni amerikano-britanik kundër vendit tonë” – tha më tej zëdhënësi i rebelëve.
Komanda Qendrore e ShBA-së tha se dhjetë dronët që po përgatiteshin për t’u hedhur në Jemen paraqisnin kërcënim ndaj anijeve tregtare dhe luftanijeve amerikane në rajon, duke shtuar se të gjithë këta dronë u shkatërruan, bashkë me një stacion tokësor të rebelëve Houthi për kontrollimin e dronëve.
Shtetet e Bashkuara thanë, gjithashtu, se njëra nga luftanijet e tyre kishte rrëzuar tre dronë iranianë dhe një raketë balistike anti-anije të rebelëve Houthi në Gjirin e Adenit.
Sulmet e këtyre rebelëve ndaj anijeve transportuese në Detin e Kuq e kanë ngadalësuar tregtinë ndërkombëtare, duke shkaktuar frikë për pengesa në zinxhirët e furnizimit.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli