Rebelët e grupit M23 vranë 319 civilë në lindje të Kongos në korrik, thotë OKB-ja - NACIONALE

Rebelët e grupit M23 vranë 319 civilë në lindje të Kongos në korrik, thotë OKB-ja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rebelët e grupit M23, i cili mbështetet nga Ruanda, vranë të paktën 319 civilë, përfshirë 48 gra e 19 fëmijë, muajin e kaluar në pjesën lindore të Kongos, tha komisionari i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, duke cituar “rrëfime të dorës së parë”.

Dhuna në territorin Rutshuru në provincën e Kivus Verior e prodhoi “njërën nga shifrat më të mëdha të dokumentuara të vdekjeve në sulme të tilla që nga rishfaqja e grupit M23 më 2022” – tha zyrtari i OKB-së në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjencia “Reuters” fillimisht kishte raportuar për këto vrasje në fund të korrikut, duke cituar të gjetura nga Zyra e Përbashkët për të Drejtat e Njeriut e OKB-së (UNJHRO), e cila kishte raportuar për 169 të vdekur.

Udhëheqësi i grupit M23, Bertrand Bisimwa, i kishte thënë agjencisë “Reuters” në atë kohë se grupi do të zhvillonte një hetim, por gjithashtu se raporti mund të ishte “fushatë e njollosjes”.

Një zëdhënës i grupit M23, një zëdhënës i ushtrisë së Ruandës dhe një zëdhënës i Qeverisë së Ruandës nuk mund të arriheshin menjëherë për koment të mërkurën.

Agjencia “Reuters” nuk ka arritur që t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto vrasje, por një aktivist lokal citoi disa dëshmitarë të kenë thënë se luftëtarët e grupit M23 kanë përdorur pushkë dhe hanxharë për të vrarë shumë civilë.

Dy burime të OKB-së i thanë agjencisë “Reuters” se 100 prej të vdekurve janë identifikuar me emra dhe se një hetim ishte duke u zhvilluar.

Grupi M23 dhe Qeveria e Kongos janë zotuar se do të punojnë drejt paqes deri më 18 gusht, pasi rebelët këtë vit kapën më shumë territore se kurrë më parë gjatë luftimeve nga të cilat janë vrarë mijëra e janë zhvendosur qindra mijëra njerëz./Nacionale

Lajme të ngjashme